Lajmet e fundit

Rexhep Qosja e vlersonë lartë pjekurinë politike të Donika Kadaj – Bujupit!

Intervistë me akademikun, shkrimtarin dhe studiuesin e njohur, Rexhep Qosja

Shkelësit e Kushtetutës të japin dorëheqje, të ballafaqohen me drejtësinë

Protestat duhet të vazhdojnë deri në vendosjen e demokracisë dhe rrëzimin e Qeverisë antikushtetuese. Koalicioni PDK-LDK po e thellon përçarjen në Kosovë. Kurrë më keq nuk ka qenë situata dhe më i degraduar pushteti. Thaçi është i papërmbajtur për pushtet, Mustafa -fatkeqësi për vendin. Politikanët e opozitës japin shpresë për ndryshim. Vetëm shteti i së drejtës ua kthen shpresën qytetarëve. Akademik Rexhep Qosja komenton situatën aktuale ekskluzivisht për “Kosova Sot”

Kosova Sot”: Si e vlerësoni protestën e 9 janarit 2016?

Rexhep Qosja: Ishte protesta më e madhe, me numrin më të madh të pjesëmarrësve, që është mbajtur në Kosovë gjatë 15 vjetëve të fundit. Në të ishte shumë i madh numri i të papartishmëve. Ishte protestë me mesazhe shumë të qarta, që po u dërgoheshin pushtetarëve të shurdhër ndaj zërit të popullit!

“Kosova Sot”: A e kanë dëmtuar imazhin e kësaj proteste masive popullore disa incidente, sepse ende është e paqartë se kush i nxiti, pasi organizatorët e protestës bënin thirrje publike për përmbajtje të protestuesve nga dhuna?

Rexhep Qosja: Mbas fjalimeve të prijësve partiakë, kur edhe u shpall përfundimi i protestës, u bënë disa veprime që do të ishte më mirë të mos ishin bërë. Organizuesit e protestës, si, fjala vjen, Rexhep Selimi, kërkuan prej atyre që hidhnin kokteje molotovi dhe gurë të mos e bënin këtë, por ata nuk dëgjuan! Një mik imi më tha: Disa prej atyre djemve që hidhnin gurë e kokteje molotovi janë të lagjes sime, por asnjëri nuk është anëtar a përkrahës i ‘Vetëvendosjes’ apo i partive të tjera të opozitës: ata janë militantë të LDK-së. Po LDK-ja është e ushtruar kaherë që të bëjë të keqen e të fshehë dorën!

“Kosova Sot”: Edhe pas protestës, Qeveria nuk dha shenja tërheqjeje, por e akuzoi opozitën për dhunë dhe se qëllimshëm po nxit trazira që të vijë me dhunë në pushtet. Si e komentoni këtë qëndrim polarizues të pushtetit?

Rexhep Qosja: Sa po shoh e sa po dëgjoj, opozita po bën protesta jo për të marrë pushtetin, po kundër dy marrëveshjeve kundërkombëtare e kundërshtetërore: kundër Marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe kundër Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Dorëheqja e Qeverisë prej këtyre dy marrëveshjeve apo prej njërës prej tyre objektivisht sjell rënien e saj. Ato që po i thotë Qeveria për protestën dhe për opozitën janë gënjeshtra të tejdukshme, të formuluara me naivitet dhe me arrogancë fajtorësh! Me këtë arrogancë të saj Qeveria po e shtyn Kosovën drejt konfliktesh shumë më të rënda! Burgosjet e opozitarëve, si në kohën e Milosheviqit

“Kosova Sot”: Gjykata Kushtetuese e vërtetoi se Qeveria e shkeli Kushtetutën, por dy liderët e koalicionit as nuk kërkuan falje e as nuk hoqën dorë nga Asociacioni i Komunave Serbe. Çka fshihet pas këtij qëndrimi antikushtetues?

Rexhep Qosja: Falje! Falje! Çfarë faljesh! Ku ndodh të shkelësh Kushtetutën e shtetit, të bësh politikë kundërkushtetutare e, mandej, të kërkosh falje? Jo, kjo as nuk kërkohet e as nuk ndodh kund. Për politikë që bie ndesh me Kushtetutën ose jepet dorëheqje ose, në raste më të rënda, shkohet në burg. Nënshkruesi i Marrëveshjes për Bashkësinë e Komunave Serbe dhe bashkëpunëtorët e tij nuk mund tërhiqen edhe pse Gjykata Kushtetuese e tha se ajo marrëveshje është fryt i një politike kundërkushtetuese, se është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, se në një varg alinesh cenohet Kushtetuta, sepse ata bëjnë politikë jo siç e do vullneti i popullit po siç kërkojnë disa prej vendeve të Bashkimit Evropian.

“Kosova Sot”: Pushteti po përdor aparatin e dhunës për të arrestuar kundërshtarët politikë, por nuk po e bën të njëjtën gjë kundër të korruptuarve, banditëve etj. A jua kujton kjo situatë persekutimin në kohën e regjimit represiv të Serbisë millosheviqiane, me procese të montuara politike?

Rexhep Qosja: Me burgosjen e deputetëve më të shquar të opozitës dhe të një numri të madh të anëtarëve të opozitës, sidomos, të ‘Vetëvendosjes’, Qeveria po e thellon ndarjen, përçarjen, konfrontimin politik dhe jo vetëm politik, në njërën anë, kurse po e komprometon rëndë idenë e demokracisë në Kosovë, në anën tjetër. Me këto burgosje Qeveria synon dobësimin deri në shpërbërje të partive opozitare, por me këto burgosje Qeveria njëkohësisht po e komprometon rëndë veten. Këto burgosje nuk ka se si të mos na e sjellin në kujtesë dhe në ndjenja regjimin e Milosheviqit, në të cilin afër dhjetë vjet bënte pjesë e merrte mësim kryeministri i sotëm i Kosovës!.

“Kosova Sot”: A ju duket se opozita është unike, deri në rrëzimin e Qeverisë dhe krijimin e një mundësie për një qeverisje të mirë e transparente, jokorruptive dhe të ndershme, që punon për qytetarët dhe zhvillimin e vendit?

Rexhep Qosja: Opozita duket unike sot për sot, por nuk jam shumë i sigurt se do të qëndrojë si sot e bashkuar deri në fund, derisa të jetë politikisht dhe kombëtarisht e nevojshme për të qenë kështu e bashkuar, kështu e njëzëshme siç është sot. Mund ta marr me mend se prej anësh të ndryshme bëhen trysni për shpërbërje të opozitës! E ne, në veçanti dhe në përgjithësi, atyre që vijnë prej përjashta u falemi shumë më lehtë dhe shumë më përkulshëm se atyre që vijnë prej përbrenda. Është ky fati ynë historik si popull që ishim të sunduar me shekuj e ishim sundues ndonjë vit apo dhjeta vjet, kurse në Kosovë deri tani vonë sundues s’ishim asnjë vit! Në qoftë se nuk i vazhdon protestat, në qoftë se nuk e vazhdon revolucionin paqësor, demokratik derisa të bjerë Qeveria tashmë e paligjshme, opozita do të dështojë dhe do të dështojë edhe misioni i saj premtues, historik.

“Kosova Sot”: A mendoni se duhet të mbahen sivjet zgjedhje të reja, pasi Qeveria PDK-LDK e humbi legjitimitetin me keqqeverisje, antikushtetutshmëri, nepotizëm dhe korrupsion?

Rexhep Qosja: Sipas mendimit tim, menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria është dashur të jepte dorëheqje dhe mandej të krijohej Qeveri teknike, që do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme. Por, Qeveria e sotme, pa përgjegjshmërinë që e karakterizon, pa koncept e pa ndjenjë për demokracinë, pa nderim për vullnetin e popullit dhe me shumë servilizëm kolonial ndaj faktorëve të jashtëm këtë nuk e bëri dhe nuk do ta bëjë, përpos në qoftë se do të detyrohet dhe në qoftë se ndonjë faktor ndërkombëtar më në fund do t’i thotë: ndërroje qykën se kështu siç po sillesh do t’i sjellësh Kosovës shumë të këqija!

Mustafa do ta tradhtojë edhe Thaçin

“Kosova Sot”: Si e shpjegoni që një përfaqësues politik i luftës si Hashim Thaçi është lidhur kaq ngushtë me një lider tipik komunist, hipokrit e inatçor si Isa Mustafa dhe nuk japin llogari për asnjë veprim të tyre institucional?

Rexhep Qosja: Emrat lider e komunist dhe cilësorët hipokrit e inatçor nuk janë emra dhe cilësorë, me të cilët mund të thuhet çka duhet të thuhet për karakterizimin e kryeministrit të sotëm të Kosovës. Jo. Ai është një fatkeqësi politike dhe morale në politikën e Kosovës, që në këtë politikë ka sjellë mjete të ndryshme kriminale me të cilat po i sendërton qëllimet e tij, me të cilat po i tendos deri në armiqësi marrëdhëniet politike në Kosovë! Duke u bashkuar me këtë njeri fatkeqësi të Kosovës Hashim Thaçi ka bërë një gabim të pafalshëm për Kosovën dhe një gabim, unë lejohem të them, të rrezikshëm për vetveten. Para disa vjetësh, në një artikull kam shkruar se me ardhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së ka depërtuar kriminaliteti në politikën e Kosovës. Dhe, kjo u pa e po shihet! Hashim Thaçit do t’i ndodhë ajo që është përsëritur më shumë herë në histori, edhe në historinë shqiptare: rënia e turpshme e komprometon ngritjen e lavdishme! Hashim Thaçi do të jetë i tradhtuar prej kryeministrit të sotëm të Kosovës siç ishin tradhtuar të gjithë ata që ishin ngritës të tij. Kryetari i Komitetit Krahinor të LKK-së, Mahmut Bakalli, e bëri këtë njeri kryetar të Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës, por kur Mahmut Bakallit i erdhën ditë të vështira, ky njeri ia ktheu shpinën dhe u bë me ata që e përmbysën Mahmut Bakallin. Ata që u shquan në pushtet pas Mahmut Bakallit e bënë këtë njeri në dy mandate kryetar të qeverisë së Prishtinës, por kur këtyre u erdhën ditë të vështira politike, kur Milosheviqi e burgosi Azem Vllasin, ky njeri, kryeministri i sotëm i Kosovës, ia ktheu shpinën edhe Azem Vllasit dhe u bë me kryetarin e ardhshëm të LKK, Rrahman Morinën, i cili e bëri anëtar të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, domethënë ministër, që mori pjesë në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë dhe në angazhimin e milicisë për shuarjen e demonstratave të rinisë sonë studentore e shkollore kur u vranë e u plagosën shumë të rinj. Kur Rrahman Morina vdiq, ndoshta pse e vrau ndërgjegjja për krejt çka po bëhej në Kosovë, ky njeri, ky kryeministër i sotëm i Kosovës, kërkoi e gjeti dhurues dhe sposorues të tjerë, por edhe të gjithë këta, njërin pas tjetrit, i tradhtoi për të tradhtuar, më në fund, edhe këta të fundit: ‘Vetëvendosjen’, AAK-në dhe Nismën e për t’iu bashkuar PDK-së e Hashim Thaçit! Me logjikën e tij të palogjikë dhe të paetikë ky kryeministër do të tradhtojë edhe Hashim Thaçin! Pse jo? Tradhtia është mjeti po natyra e kryeministrit të sotëm të Kosovës! Por, Hashim Thaçi me politikën e tij shpërfillëse, në të vërtetë fyese ndaj shumë njerëzve që kanë bërë shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e me ngritjen e poltronëve të ndryshëm për nga dija e gjinia në pushtet ka krijuar shumë kundërshtarë dhe armiq, që do t’i ndihmojnë hapur a fshehurazi kryeministrit për ta tradhtuar edhe Hashim Thaçin!

Gjykata Speciale, e padrejtë 

“Kosova Sot”: Sivjet duhet të bëhet Gjykata Speciale, e cila pavarësisht zërave kundër, sikur e ka ngjallur një shpresë te qytetarët e zhgënjyer se do t’i marrë disa protagonistë e komplotistë të luftës, por edhe të pasluftës me bëmat e tyre, me uzurpimin, abuzimet, keqpërdorimet e tyre. A mund t’ua heqë qafe kosovarëve Gjykata Speciale të “fortët” “e “ish-komplotistët”, që janë mbi ligjin apo duhet vetë kosovarët t’i largojnë ata nga pushteti në mënyrën e tyre me ose edhe “pa ligj”?

Rexhep Qosja: Isha dhe jam kundër krijimit të Gjykatës së Veçantë për trajtimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së, domethënë të UÇK-së, të luftës sonë çlirimtare. Ku dhe kur në botë janë krijuar gjykata njëetnike a shumetnike kundër luftëtarëve që kanë mbrojtur vendin e tyre, familjet e tyre, shtëpitë e tyre prej pushtuesve dhe shfarosësve? Kurrë dhe kurrkund. Sa u përket shpërdorimeve të pushtetit, krimit të organizuar, korrupsionit, plaçkitjeve, vjedhjeve, nepotizmave e shumë të këqijave të tjera, që bëjnë e prodhojnë protagonistët e pushteteve primitive, kundërdemokratike – me të gjithë këta dhe me të gjitha këto merren prokuroritë dhe gjykatat e shtetit të së drejtës, shtetit ligjor, natyrisht, e jo gjykatat e krijuara prej të huajve!

“Kosova Sot”: Ka një monopol pushteti në partitë e mëdha, që në vend të demokracisë promovojnë autokracinë e oligarkinë kriminale. Ja shembulli: Thaçi do të bëhet president e Kadri Veseli, ish-kreu i SHIK-ut, lider i PDK-së dhe kryeministër. A ju duket kjo skemë si ajo ruse Putini -Medvedevi?

Rexhep Qosja: Nuk di për kombinimet politike që bëhen në çarshi. Dhe, nuk bëj krahasime politike e pushtetore midis Kosovës e Rusisë. Janë këto dy vende me ndryshime tepër të mëdha në madhësi, në histori dhe në mentalitetet politike, prandaj me ndryshimet e tilla i përjashtojnë gjykimet objektive për ngjashmëri midis tyre!

Kësi prishësie pushtetore nuk është parë ndonjëherë

“Kosova Sot”: Ky koalicion PDK-LDK veçmas ua ka humbur shpresën qytetarëve, sepse vetëm në një vit mbi 100 mijë qytetarë e braktisën Kosovën. Mijëra të tjerë janë të gatshëm të ikin. Si mund t’u kthehet shpresa njerëzve në këtë vend të uzurpuar nga mafia -politikanët dhe mafio-oligarkët?

Rexhep Qosja: Nuk duam të shohim, nuk duam të dëgjojmë, nuk duam të mendojmë sa duhet e si duhet për dramën që po ndodh në njëmendësinë kosovare sot! E vërteta, ndërkaq, s’mund të fshihet gjatë: numër i madh i qytetarëve janë të dëshpëruar dhe nuk kanë shpresë për jetë në Kosovë. Kjo, pashpresë, është e keqja më e madhe e Kosovës sot. Dhe, janë të dëshpëruar, dhe janë të pashpresë jo vetëm ata që jetojnë shumë keq, që nuk kanë punë, që nuk presin se do t’ua qesë pushteti dorën ndonjëherë, por dhe shumë nga ata që nuk jetojnë keq dhe nuk janë të papunë! Prishësi e papërjetuar, e papritur, e paparë pushtetore ua ka thyer iluzionet të gjithëve, të gjithëve, përpos disa naivëve, që kënaqen me gënjeshtrat dhe mashtrimet e pushtetarëve! Së shpejti i bëj tetëdhjetë vjet, në Prishtinë jetoj që gjashtëdhjetë e dy vjet, i kam përjetuar të gjitha pushtetet, të gjitha ndryshimet, të gjitha arnimet dhe çarnimet pushtetore, por kësi prishësie pushtetore si tani nuk ka pasur ndonjëherë! Për shkak të kësaj prishësie numri i atyre që do të kërkojnë mundësinë të ikin prej Kosovës do të vijë jo duke rënë po duke u shtuar. Si mund t’u kthehet dhe a mund t’u kthehet shpresa njerëzve? Mundet. Mund t’u kthehet shpresa njerëzve në qoftë se krijojmë shtet të së drejtës, në qoftë se largohen prej pushtetit bashibozukët e derisotëm, në qoftë se vijnë në pushtet të rinj – të rinj me mendime të reja, me sjellje normale, të pa frikësuar prej të diturve, prej të merituarve, prej të aftëve, prej atyre që kanë kokën të mendojnë me të, prej atyre që e duan Kosovën për popullin e saj e jo për xhepat e vet!

“Kosova Sot”: Kosova ka shumë të rinj e të reja të shkolluar, të formuar mirë, të dinjitetshëm, por asnjërit nuk i vjen radha e as mundësia të shprehë aftësitë e tij në shtetformim e në institucione, ku kriteri kryesor është servilizmi ndaj partisë. Nëse nuk i përket një grupi politik, nëse nuk je i inkriminuar me ta, nuk ke të ardhme në këtë vend. A duhet të ketë Kosova një ligj së pari për dekriminalizmin e plotë të institucioneve të shtetit?

Rexhep Qosja: Keni parë, besoj, se që sa kohë dhe se sa shumë po merret Shqipëria me çështjen e dekriminalizimit të institucioneve shtetërore, madje të atyre më të lartave. Aspak më e vogël nuk është nevoja e Kosovës për t’u marrë me dekriminalizimin e institucioneve shtetërore. Ne mund t’i quajmë si të doni padrejtësitë, shkeljet e të drejtave të njeriut, nepotizmin, punësimet me miqësi, lidhje, farefisni, me ryshfet, mitosjet me xhep e me vithe. Mund t’i quajmë primitivizëm, mund t’i quajmë mentalitet fisnor, mund t’i quajmë perversion, mund t’i quajmë prostitucion e nuk e di si krejt ndryshe, por të gjitha këto, kur më pak e kur më shumë, përmbajnë veprime e pasoja kriminale. Ligji për dekriminalizimin me të cilin do të shërohej – e nuk do të mund të shërohen tash për tash – institucionet e tashme e me të cilin do t’i mbyllej dera kriminalizimit të mëtejmë është më i nevojshëm se çdo ligj tjetër.

“Kosova Sot”: Prej pasluftës, PDKLDK e kanë pasur gjithnjë peshën qendrore në Qeveri. Për shkak se erdhëm në këtë ditë, kur sovraniteti është vënë në dyshim, integriteti territorial po rrezikohet, varfëria ka kapluar popullin, pasuria kombëtare është rrëmbyer e plaçkitur, a është koha që PDK e LDK të dalin në opozitë dhe populli t’i ndëshkojë duke hapur rrugë për opozitën e reformuar dhe alternativa eventuale të reja?

Rexhep Qosja: Koha që këto dy parti të dalin në opozitë nuk do të vijë shpejt. Elektorati ynë nuk është elektorat as gjerman, as anglez, as francez, as italian, prandaj ndërrimet e pushtetmbajtësve nuk ndodhin kollaj. Qytetërimi nuk adhuron bajraktarët, po drejtësinë, të vërtetën, demokracinë, kurse tribalizmi, mentaliteti fisnor i përkulet bajraktarit, mendon për të dhe dëshiron të jetë i sunduar prej tij! Edhe në zgjedhjet e ardhshme do të fitojnë këto dy parti! Është me rëndësi, prandaj, të shkojnë këta që e kanë sjellë Kosovën në gjendjen, në të cilën është dhe në krye të këtyre dy partive e të institucioneve shtetërore të Kosovës të vijnë të tjerë. Edhe PDK-ja natyrisht edhe LDK-ja natyrisht, megjithëse të dyja kanë pësuar shpërfytyrim të thellë politik, shoqëror dhe etik, kanë njerëz, që mund të kihet besim në vetëdijen dhe në etikën e tyre pushtetore. Janë gjatë vështrues të heshtur të një politike, që i ka sjellë dëme të mëdha politike, shoqërore, ekonomike, shtetërore, morale Kosovës, por, megjithatë, s’janë protagonistë të saj.

Jahjaga gaboi, Thaçi i papërmbajtur për pushtet

“Kosova Sot”: Si e shihni rolin e presidentes Jahjaga, e cila me disa qëndrime të saj, duket se më tepër është bërë palë me Qeverinë, kundër opozitës së bashkuar, sesa ka luajtur ndonjë rol unifikues?

Rexhep Qosja: Kryetarja Jahjaga kohë pas kohe ka shprehur disa qëndrime të drejta, parimore, kurse për disa ngjarje këtu, në Kosovë, apo jashtë Kosovës, është paraqitur më dinjitetshëm e më pranueshëm se Kuvendi e Qeveria. Në fund, në situatën e mospajtimeve të opozitës me pozitën për shkak të Marrëveshjes për Bashkësinë e Komunave Serbe dhe Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi ka mbajtur anën që nuk është dashur ta mbajë dhe nuk është dashur ta mbajë qoftë pse e drejta nuk është në anën e Qeverisë e të Kuvendit, qoftë pse historia shqiptare do ta ndëshkojë qëndrimin e Qeverisë e të Kuvendit për ato dy marrëveshje. Kryetarja Jahjaga ka këshilltar të aftë, Arben Vllahiun, i cili ka përvojë politike, i cili e njeh mirë historinë kombëtare, të sotmen e Kosovës, politikën e faktorëve ndërkombëtarë, por këshillat e tij të drejta mund të pengohen prej trysnisë së ndërkombëtarëve, së cilës i nënshtrohet kryetarja!

“Kosova Sot”: Tash, edhe pak ditë, mbaron mandati i Jahjagës dhe Thaçi e synon Presidencën. Çfarë pasojash do të ketë emërimi i Thaçit, duke pasur parasysh konfliktualitetin që ai ka nxitur gjithnjë sa ka qenë në pushtet?

Rexhep Qosja: Shikuar formalisht, përpjekjet e Hashim Thaçit për t’u bërë kryetar i Kosovës janë të ligjshme, por mënyra si po bëhen ato përpjekje nuk janë demokratike. Nuk ma do mendja kryetarin e shtetit që shpallet kryetar në bazë të të ashtuquajturës marrëveshje midis dy partive pa u vendosur kjo në Kuvend! Hashim Thaçi po e shpreh një etje të papërmbajtur pushtetore, që është gjithnjë e më pak e mirëkuptuar në botën demokratike dhe gjithnjë e më pak frytdhënëse në njëmendësinë politike e shoqërore. Historia na mëson se ata që i provojnë të gjitha pozitat më të larta në një shtet zakonisht nuk mbahen mend për të mirë, në qoftë se do të mbahen mend! Ka kaluar njëherë e përgjithmonë koha e Sali Berishëve!

Opozita, me politikanë shpresëdhënës

“Kosova Sot”: A shihni energji pozitive te liderët e opozitës për ndryshime vërtet pozitive, apo…?

Rexhep Qosja: Me gjithë nderimin që kam për rolin e tyre në luftën çlirimtare, mund të them se nuk i kam perceptuar me ndonjë interesim të veçantë në politikë pas luftës as Ramush Haradinajn e as Fatmir Limajn. Tani edhe Ramush Haradinaj, edhe Fatmir Limaj janë duke u paraqitur me një përgatitje shumë më të dukshme, shumë më përshtypje-bërëse dhe më të drejtë. Njëherë për njëherë edhe Ramush Haradinaj edhe Fatmir Limaj po shquhen si prijës partiakë shpresëdhënës. Në partitë e tyre shoh edhe djem të tjerë, edhe gra të merituara për t’u besuar pozita të larta politike e shtetërore. Po përmend deputeten Donika Kadaj-Bujupi. Paraqitjet e saj politike janë të veçanta: ajo gjykon me pjekuri politike, ajo gjykon me përgjegjshmëri të lartë shoqërore e kombëtare, ajo i shpreh mendimet qartë, në mënyrë shumë koncize, duke e paraqitur gjithnjë vetëm atë që është thelbësore. ‘Vetëvendosja’ ka një varg djemsh, kryesisht të rinj dhe disa gra, të reja, që me aftësitë e tyre, me përgatitjen e tyre profesionale, politike, dallojnë shumë ndër njerëzit politikë në Kosovë. Albin Kurti, Visar Ymeri, Shpend Ahmeti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Aida Durguti e shumë të tjerë e të tjera përfaqësojnë nivelin më të lartë të prirjeve e të aftësive politike e të përgjithshme ndër njerëzit e politikës në Kosovë. Prej paraqitjeve të tyre shihet qartë se ata i shquan përgjegjshmëri e lartë për fatin e Kosovës dhe për gjendjen e qytetarëve të saj. Ata janë persona politikë me jetëshkrime të pastra, me qëllime të ndershme, gjithnjë të gatshëm që interesat vetjake t’ia flijojnë të sotmes dhe të ardhmes së Kosovës dhe mirëqenies së qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.