Deklarata e Ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli se i kanë përafruar qëndrimet me Listën Serbe, që deputetët e kësaj partie të votojnë pro amendamenteve që mundësojnë shndërrimin e FSK-së në ushtri, i ka hedhur poshtë gjatë ditës së hënë, Ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq.
Ky i fundit, ka thënë se nuk janë të gatshëm t`i votojnë Forcat e Armatosura të Kosovës.
“Kemi biseduar tri herë për këtë temë me partnerët e koalicionit dhe kjo çështje tani për tani nuk është prioritet. S`kemi asnjë kusht për Forcat e Armatosura të Kosovës, as ndonjë plan për batalion serb aty. Thjesht nuk e votojmë”, ka thënë Jevtiq.
Ministri që vjen nga Lista Serbe në koalicion qeverisës me LDK dhe PDK, ka shtuar se për këtë fazë ka tema më të rëndësishme se formimi i Ushtrisë së Kosovës.
E komentet e Delibor Jevtiq, nuk janë diçka risi për anëtarin e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Rexhep Selimin.
Selimi për Gazetën Tribuna, ka thënë se Lista Serbe i merr të gjitha direktivat nga Serbia se si të veprojë në Kosovë.
Sipas Selimit, Lista Serbe po e thotë të vërtetën që mendon.
“Duke e ditur që nuk është në interes të Serbisë, krijimi i FAK, atëherë këta e kanë thënë të vërtetin sepse këta e përfaqësojë vullnetin politik të Beogradit dhe kjo qeveri nuk ka vullnet politik për krijimin e forcave të Armatosura”, ka thënë Selimi.
Deputeti i VV-së, thotë se Lista Serbe gjatë gjithë kësaj kohe do ta mbajë peng gjithçka që ka të bëjë me shtetësinë e Kosovës dhe do ta mbajnë peng edhe formimin e FAK.
I pyetur se çfarë duhet të veprojë Qeveria e Kosovës, Selimi tha se, “Qeveria duhet ta bëjë ushtrinë flaka I daltë Beogradit, kuptimi flaka i daltë ka që ata të bëhen nervoz me këtë”, ka shtuar Selimi.