Eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi ka vlerësuar se viti 2016 do të jetë vit i ‘varfër’ po aq sa kanë qenë edhe vitet e me parëshme, pasi që sipas tij ai po nisë më shumë paqartësi dhe me probleme të njëjta. E për këtë thotë se fajin kryesorë e ka Qeveria.
Në një intervistë dhënë Gazeta Blic, përcjellësi i zhvillimeve ekonomike Ibrahim Rexhepi ka veçuar se vitin që po e lëmë pas ka pas një rritje të vogël ekonomike, përkundër zhvillimeve të tensionuara politike që sipas ti do të sjellin pasoja në të ardhmen e ekonomisë së vendit.
Po ashtu, gjatë kësaj interviste, Rexhepi i ka përmendur edhe disa faktorë tjerë të cilët kanë ndikuar që ekonomia të jetë e dobët, si dhe ka përmendur se çfarë duhet të aplikohet në përmisimin e sigurtë të ekonomisë.
Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë:
Gazeta Blic: Z. Rexhepi, ju si ekspert i ekonomisë, si e vlerësoni vitin 2015 në këtë fushë? A ka pas ngritje apo rënie në krahasim me vitet tjera?
- Ibrahim Rexhepi: Nuk është aq lehtë që të bëhet një përmbledhje e zhvillimeve gjatë vitit 2015, posaçërisht në fushën e ekonomisë. E tëra varet nga këndvështrimi. Për fat të keq, në të shumtën e rasteve paraqiten dy ekstreme- bardh, ose zi. Ndërkaq, unë vlerësoj se a edhe nuanca tjera.
E vërteta është se ka një ngritje ekonomike, e cila mund të jetë diçka më e vogël se 3 për qind. Kurë të e krahason me vitin 2014, kurse norma e zhvillimit ishte 1,2 për qind, del se kemi ngritje të madhe. Mirëpo, kur për bazë merret një vit krejtësisht i dështuar, si ishte viti 2014, atëherë domosdo se do të del një ritëm pozitiv. Ndërkaq, unë them se krahasimi me vitin 2014 bëhet vetëm sa për të nxjerrë një parametër pozitiv, meqenëse kur vihen në raport viti 2015 me vitet e tjera- dështimi është i qartë.
Dështimet janë evidente në të gjitha fushat. Po përmendi vetëm disa fakte.
- E thashë, norma e rritjes ekonomike është e ulët, apo do të jetë e barabartë me atë të vitit 2012 kur ishte 2.8 për qind, ndërsa shumë larg nga viti 2014, kur arriti në 4.4 për qind. Por, megjithatë, edhe këto norma janë larg nga nevojat që ka vendi.
- Papunësia vazhdon të jetë shumë e madhe. Edhe nëse e pranojmë normën 35 për qind, që për mua është mjaft dyshimtë, sërish kjo paraqet rritje në krahasim me vitet e tjera, kur ajo ishte 31 për qind. Unë nuk iu besoj as deklaratave të ministrit të punës që flet për 15 mijë vende të reja të punës, meqenëse nuk ka asnjë raport të besueshëm se ku janë punësuar këta njerëz, sikur që nuk ka raport as për numrin përgjithshme të punësuarve në sektorin provat. Këtu janë të papranueshme përllogaritjet aproksimative, apo si thotë populli “me tahmin”. Në këtë fushë mbetet ëndërr punësimi i atyre 120.000-200.000 të punësuar.
-
Vazhdon deficiti i lartë tregtar, përkundër masave të proklamuara nga kolitka fiskale se do të favorizojnë prodhimin vendor, i cili do të jetë më konkurrent në raport me prodhimet e importit. Deficiti tregtar deri në fund të tetorit ishte 1,9 miliardë euro, nga 1,8 miliardë euro sa ishte vjet në të njëjtën periudhe;
- Është e vërtetë se investimet e huaja janë rritur, por prej tyre nuk është hapur asnjë vend i ri i punës. A kanë shkuar në sektorët që nuk premtojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik;
- Ka vazhduar përkeqësimi i ambientit për të bërë biznes, gjë të cilën e dëshmoj edhe raporti i Bankës Botërore.
- Struktura e shpenzimeve buxhetore nuk favorizon investimet dhe zhvillimin, por shpërndarjen e parasë për nevoja sociale. Ndonëse qeveria në janar frenoj rritjen e premtuar të pagave, megjithatë ato janë më të larta se investimet;
Si hap pozitiv vazhdimisht përmendet nënshkrimi i MSA-së, por ky dokument ka historinë e vet, ndërsa është dashur të përfundoj në një kohë të caktuar, e cila u përputh që të jetë pikërisht gjatë mandatit të kryeministrit Isa Mustafa.
Qeveria e Kosovës si zhvillim pozitiv përmend pakon fiskale, por ajo nuk ka prodhuar efekte. Ndoshta duhet pritur ende. Mirëpo, unë mendoj se ajo nuk do të reflektoj në uljen e çmimeve, por në përmirësimin e pozitës së bizneseve. Do të ishte e kuptueshme nëse ky përmirësim që iu bëhet bizneseve të reflektoj me zhvillim dhe me punësim. Por, jo nuk po ndodhë.
Gazeta Blic: Cilët faktor kanë ndikuar që të jetë ky rezultat nga ekonomia për këtë vit?
- Ibrahim Rexhepi: Faktori kryesor është momenti politik. Që nga zgjedhjet e vitit të kaluar, gjendja në Kosovë është jo normale. Qeveria e Kosovës nuk pati fuqi që përpikërish të zbatoj agjendën e propozuar. Ju kujtojmë, nuk ofroj ligjin për Trepçën, mezi përmbylli kontratën për zhvillimin e energjetikës, Brezovica po zvarritet, ende nuk ka ofruar strategji të qartë për zhvillimin përgjithshëm, nuk është e përqendruar dhe e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit, mbetet për të dëshiruar efikasiteti i institucioneve të pushtetit- posaçërisht në gjyqësi, bordet më në fund u plotësuan, por jo që të zhbllokojnë punë e autoriteteve dhe rregullatorëve të pavarur, por që të akomodohen militantët partiak, opozita ka qëndrime për të cilat mund të diskutohet , por veprimet e saj qojnë edhe më tej drejt destabilizimit të shtetit. Ajo më shumë është e interesuar të spastroj hesapet me Isa Mustafën, për shkak të ikjes së tij nga VLAN-i dhe të hyj në zgjedhje, se sa të ndërtoj një shtet funksional.
Në këtë ambient nuk mund të ketë zhvillim ekonomik. Posaçërisht pse qeveria është e zënë peng për shkak të veprimeve të opozitës, kurse Kuvendi i Kosovës nuk bënë punë të mirëfilltë, por atë e kryen në mënyrë formale.
Gazeta Blic: A është fajtore Qeveria?
- Ibrahim Rexhepi: Gjithsesi se fajtor kryesor është Qeveria e Kosovës. Duket se ajo ende nuk e ka të qartë për përgjegjësinë që imponon momenti i tashëm në Kosovës. ( Arsyetimet i ke më lartë)
Gazeta Blic: Kush tjetër sipas jush është fajtor?
- Ibrahim Rexhepi: Nuk e shoh si të pafajshëm as Kuvendin e Kosovës, i cili nuk duhet të merret vetëm me numrin e ligjeve që aprovon, por të analizoj zbatimin tyre, të bëjë presion te Qeveria për ligjshmëri dhe të kërkoj llogari prej saj për punët që i ka në përgjegjësi.
Ndërkaq, fajtore është edhe opozita, të cilës nuk i intereson asgjë tjetër, pos zgjedhjeve dhe që “t’ia nxijë jetën kësaj qeverie”. Mirëpo, ajo po ia nxinë jetën shumicës së kosovarëve, sikur që ata po i bindë se “zajednica” dhe demarkacioni me Malin e Zi janë pretekst për kundërshtime protesta, meqenëse e vërteta është se ajo donë zgjedhje, e asgjë më pak.
Gazeta Blic: Çfarë plani duhet të aplikohet në përmirësim të gjendjes ekonomike?
- Ibrahim Rexhepi: Duhet të kemi parasysh një fakt- kapitali ( paraja) është problemi më i vogël për të nxitur zhvillimin ekonomik. Kosova është vend i vogël dhe me 1,8 milionë konsumatorë, prandaj me pak para këtu gjendja mund të ndryshoj. Mirëpo, nuk mund të presim ndryshim aty ku shteti është i dobët, e që karakterizohet me institucione jofunksionale, i zhytur në korrupsion, me qeveri pa vizion, por edhe me një opozitë shkatërrimtare, e cila kërcënohet se do të zhbëjë çdo vendim , nëse vjen në pushtet. Në këto rrethana edhe investitorët potencial të brendshëm hezitojnë për investime, ndërkaq, atyre nga jashtë, as që iu bie ndërmend që të vijnë në Kosovë.
Është edhe një fakt tjetër që më shqetëson: Në Kosovë po ndodhë njëfarë rritje ekonomike, ka rritje të kreditimit, ka rritje të hyrave në buxhet, ka rritje të remitancave, ka rritje të investimeve të huaja direket, por nuk po ndodhë punësimi dhe përmirësimi i situatës sociale. Me një fjalë nuk po ndodhë një zhvillim i qëndrueshme, ku të gjithë përfitojnë. Atëherë, ku po mbeten paratë ? Po i “han” korrupsioni, tenderët e shtrenjtë dhe jotransparent dhe pushtetarët e pangopshëm. Kjo del qartë kur themi se në këtë situatë po pasurohen ata që janë të pajisur me pushtet, ndërsa popullata po varfërohet.
Gazeta Blic: Si pritet të jetë viti 2016 në ekonomi?
- Ibrahim Rexhepi: Unë jam skeptik dhe me shqetësim pres vitin e ri 2016. Ai nisë me shumë paqartësi dhe me problem të njëjta. Pa zgjidhur asnjërin problem të evidentuar në vitin 2014 dhe 2015. Krejt problemet qëndrojnë në rrafshin politik- si do të zhvillohet puna në qeveri dhe në kuvend dhe si do të zhvillohen raportet pozitë-opozitë. Janë të mundshme edhe zgjedhjet Mirëpo, nuk pres që ato do të sjellin një vlerë të re për vendin dhe për qytetarët e Kosovës. Përmes tyre, liderët e partive politike do të synojnë që të përmbushin apetitet e tyre karrieriste dhe korruptime- asgjë më shumë. Prandaj, në rrethana të këtilla nuk mund të ndodhë zhvillimi ekonomik.
Gazeta Blic: Çka e bën një ekonomi të fortë?
- Ibrahim Rexhepi: Asgjë tjetër pos shtetit stabil me institucione funksionale dhe të pa korruptuara. Fatkeqësisht Kosova është larg kësaj gjendje.