Dy komunitetet më të mëdha fetare në Shkodër, të krishterët dhe myslimanët përmes përfaqësive të tyre zyrtare nuk po gjejnë qetësinë, paqen e harmoninë që pretendojnë mes njëra-tjetrës. Një fill i rrezikshëm që nëse stërzgjatet mund të çojë edhe në konflikt fetar ashtu siç për pak u rrezikua në vitin e luftës civile 1997 në qytetin e Shkodrës.
Kësaj here, debati i radhës por po aq i nxehtë ndonëse në largësi u bë monumenti i shpallur monument kulture kishë-xhami që ndodhet në kalanë Rozafa.
Katedralja e Shën Shtjefnit në Shkodër organizoi meshën e shenjtë në atë monument që pretendon se është një kishë për të nderuar pikërisht pajtorin që mban të njëjtin emër, Shën Shtjefnin. Shën Shtjefni është i nderuar si nga kisha katolike, ashtu edhe ajo ortodokse, si martiri i parë i krishterimit, i pari që dha jetën për të dëshmuar fenë në Krishtin dhe për përhapjen e Ungjillit, raporton “Shqiptarja”.
Shën Shtjefni nuk është pajtor vetëm i kishës në kalanë Rozafa por edhe shumë qyteteve e katedraleve të tjera në botë. Edhe këtë vit kisha katolike pasi ka marrë lejen përkatëse në Ministrinë e Kulturës, objekt së cilës i përket ka kremtuar meshën e shenjtë që u kremtua nga padër Gazmend Tinaj i njohur për qëndrime të forta të tij thuajse në të gjitha daljet publike apo kremtimet e meshave.
Ceremonia solemne në kalanë “Rozafa” nga kisha katolike ka ngjallur reagimin e menjëhershëm të myftnisë së Shkodrës përmes faqes zyrtare të saj në Facebook. Çështja e kishë-xhamisë në kalanë “Rozafa” dhe ky debat po ndezet çdo vit e më shumë si dhe po ndikon jo mirë edhe në marrëdhëniet mes dy komuniteteve përkatëse.
Kremtimi i meshës për nder të pajtorin Shën Shtjefni
Kremtimi i meshës për pajtorin dhe martirin e parë të krishtërimit, Shën Shtjefni është kthyer në një traditë në kalanë “Rozafa” në qytetin e Shkodrës. Ky ishte viti i 11-të.
Padër Gazmend Tinaj përpara besimtarëve të krishterë shënjestroi teksa tha se kisha së cilës i kanë mbetur vetëm rrënojat, është një simbol për të krishterët e madje aty afër sipas një harte të para 537 viteve kanë qenë edhe dy kisha të tjera.
“Në këtë kala të Krishterët e parë apo ata që na kanë paraprirë kanë dashur që të marrin këtë kishë si simbol të tyrin, si simbol pse jo ndoshta edhe të matirizimin sepse e dimë që të krishterët në vendin tonë janë maritrizuar shumë. Po kanë dashur që ta marrin edhe si simbol të gurit, gurit të fortë meqë është simbol edhe i Shën Shtjefnit. Këtu nuk ka qenë vetëm kjo kishë, sipas një hartë të vitit 1478 kur është bërë rrethimi i Shkodrës këtu ka patur edhe dy kisha të tjera, jo larg nga këtu ka qenë kisha e Shën Nikollës edhe kisha e Zojës së papërlyeme, pra këtu nuk ka qenë vetëm një kishë. Kjo duket tani dhe ka mbijetuar në një farë mënyre e transformuar deri diku por sot ne kemi ardhur këtu për të nderuar Shën Shtjefnin”, ka thënë Padër Gazmend Tinaj.
Nga ana tij një fjalim mbajti edhe famullitari i katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër dom Artur Jaku i cili iu drejtuar besimtarëve të krishterë duke i thënë se prania aty është për të kujtuar dhe për të mos harruar.
“Prania jonë në këtë vend është padyshim për të kujtuar dhe për të mos harruar e njëkohësisht për të vlerësuar të kaluarën tonë. Unë besoj se jemi një popull i vogël por një popull me shumë domethënie. Besoj e keni marrë shumë mirë vesh lajmin bija e këtij populli shumë shpejtë do jetë shenjtëresha Nënë Tereza e shumë shpejt do të jenë të shpallur martir edhe meshtarët, klerikët por jo vetëm të cilat në procss janë kërkuar në Vatikan dhe Papa Françesku do t’i shpalli ata martir. Prandaj këto ngjarje na bëjnë krenar të gjithëve ne shqiptarëve”, ka thënë dom Artur Jaku.
Reagon Myftnia e Shkodrës
Myftnia e Shkodrës ka reaguar menjëherë vetëm pak orë pas kremtimit të meshës së shenjtë në kalanë “Rozafa” për nder të Shën Shtjefnit. Në faqen zyrtare të Facebook, myftnia Shkodër monumentin e quan si Xhamia e Mehmet Fatihut dhe se leja e dhënë nga Ministria e Kulturës nuk ia ndryshon dot identitetin.
Në deklaratë myftnia është e qartë kur thotë se nuk duhen cenuar caqe e kufij, ndjesi e shenjtëri dhe se këto veprime janë të papërgjegjshme e madje çojnë në përçarje dhe ku asnjëherë nuk i dihet fundi kësaj pune.
“Xhamisë së Mehmet Fatihut në kalanë e Shkodrës, nuk ia ndryshon dot identitetin leja e dhënë nga Ministria e Kulturës për ceremoninë e sotme fetare! Ne kemi qenë, jemi dhe do të vazhdojmë të promovojmë kulturën e harmonisë ndërfetare, respektimin e lirisë së besimit dhe praktikimin e tij, pa cenuar caqe e kufij, ndjesi e shenjtëri, përtej këtij realiteti, ku dikush shfrytëzon shumëçka në dëm të një domosdoshmërie sociale! Ata që lejojnë këto veprime, janë të papërgjegjshëm, cinikë dhe nxitës të përçarjes, dëmet e së cilës, vetëm Një Zot e di se ku mund të çojnë! Njëkohësisht, distancohemi nga kushdo që kalon cakun dhe nxit prishjen e ekuilibrave, në emër të Zotit dhe të fesë”, thuhet në deklaratën e myftinisë në Facebook.
Debatet e hershme për kishë-xhaminë në kalanë “Rozafa”!
Ky debat ka nisur që herët për objektin që ka shërbyer edhe si kishë por më së shumti si xhami. Në fakt dy komunitetet fetare më parë kanë patur një pakt mes tyre që të zhvillohen ceremoni të ndryshme fetare aty por pa u bërë publike dhe pa u trumbetuar në media.
Vitet e fundit ky pakt u thye dhe nuk u respektua më. Kisha katolike nisi t’i bëjë publike ceremonitë dhe meshat fetare të përvitshme të 26 dhjetorit në kremtimin e meshës për Shën Shtjefnin gjë e cila më pas ka sjellë edhe reagimin, mospranimin dhe përplasjen në largësi përmes deklaratave të drejtuesve të dy komuniteteve siç është edhe ky rast.
Kohë më parë Ambasada Amerikane në Shqipëri tentoi me prezantimin e një projekti për restaurimin e atij objekti të lashtë që sot është monument kulture por menjëherë pati reagime të forta nga të dy komunitetet gjë e cila e bëri të pamundur realizimin e atij projekti.
Vitin e kaluar gjatë faljes së xhumasë në xhaminë e Parrucës imam Muhamed Sytari do ta quante provokim të rëndë meshën e kremtuar në kalanë “Rozafa”.
Sipas të dhënave mendohet se ai objekt është projektuar për kishë ortodokse nga kisha serbe dhe më pas Venediku e ktheu në kishë katolike dhe me ardhjen e osmanëve në shekullin e XV shërbeu si xhami për të vijuar e tillë deri vonë kur do të shpallej monument kulture pa iu lënë në administrim asnjërit prej komuniteteve pavarësisht pretendimeve dhe kërkesave të tyre.
Gjendja e objektit kishë-xhami
Objekti kishë-xhami që tashmë çdo ditë risjellë në vëmendje këtë debat mes dy komuniteteve nuk është aspak në një gjendje të mirë. Edhe pse në fakt një histori të rrallë dhe të pasur që ka ngjallur edhe këtë debat të përvitshëm tashmë, është pothuajse e rrënuar.
Monumenti i kulturës ndodhet në brendësi të kalasë “Rozafa”, në një prej pjesëve qendrore. Ka mbetur në këmbë vetëm një pjesë e mureve ndërsa një pjesë e konsiderueshme e saj nuk ekziston më. Nuk është as e mbuluar dhe thjeshtë kanë mbetur rrënojat e saj, natyrisht që vërtetojnë lashtësinë dhe funksionin për të cilin ka shërbyer, fillimisht si kishë e më pas si xhami.
Të dy komunitetet fetare, kisha katolike dhe myftnia Shkodër kanë pretenduar pronësinë por gjithçka deri tani ka mbetur në kuadrin e pretendimeve sepse menaxhohet nga Ministria e Kulturës.
Martiri i Krishtërimit Shën Shtjefni
Shtjefni, i nderuar si nga Kisha katolike, ashtu edhe ajo ortodokse, është martiri i parë i krishterimit, i pari që dha jetën për të dëshmuar fenë në Krishtin dhe për përhapjen e Ungjillit. Rrëfimin mbi martirizimin e tij e gjejmë në ‘Veprat e Apostujve’, ku mësojmë se ai ishte thirrur për t’u shërbyer nxënësve të Krishtit e se u mbyt me gurë, në praninë e Palit të Tarsit (Saulit), para se të kthehej në fe të Krishtit.
Sipas një gojëdhëne, në vitin 415 një meshtar me emrin Luçian, deklaroi se kishte gjetur trupin e shenjtit pranë Jerusalemit, pasi i qe treguar në ëndërr vendi i varrosjes. Tradita u përhap me shpejtësi në botën latine e greke, ashtu si edhe reliket e Shenjtit të parë martir, shumë nga të cilat nuk kishin të bënin fare me të.
Gjithsesi kjo ndikoi shumë mbi përhapjen e kultit. Historitë e ndryshme, që kanë të bëjnë me gjetjen e trupit të tij, rivarrosjen në Kostandinopojë e më pas në Romë, tregohen me hollësi në ‘Legenda Aurea (kap. CXII).
Shën Shtjefni, me shembullin e tij të jashtëzakonshëm, i kujton secilit nga ne se martirizimi i krishterë është thjeshtë akt dashurie për Hyjin e për njeriun. U mbyt me gurë në portat e qytetit e vdiq, si Jezusi, duke iu lutur Zotit t’i falte vrasësit e tij, duke dëshmuar se është dashuria hyjnore ajo që e lidh Krishtin me martirin e tij të parë.
Festa e Martirit të parë të krishterimit kremtohet më 26 dhjetor, do të thotë menjëherë pas Krishtlindjes. Shën Shtjefni është Pajtor i shumë qyteteve, katedraleve e kishave nëpër botë. Vetëm në Shkodër i kushtohen dy katedrale: katedralja e Qytetit të Veriut e katedralja historike në Kështjellën Rozafa. Shën Shtjefnit i kushtohen edhe një mori veprash arti, që e paraqesin duke pësuar martirizimin aq dramatik.
Ndërmjet tyre njihet botërisht një nga kryeveprat e Gjotos kushtuar pikërisht Shën Shtjefinit.