Ratifikimi i marrëveshjes me shtetin e Holandës për selinë e Gjykatës Speciale pritet të sjell tensione në Kuvend dhe jashtë tij. Kjo për faktin se ekzistojnë dallime të mëdha në mes pozitës dhe opozitës për sa i përket themelimit të kësaj Gjykatë.
Avokati Tomë Gashi thotë se rikthimi i Speciales në Kuvendin e Kosovës, pritet të sjell situata acaruese dhe kundërshtie në mes të pozitës dhe opozitës. Mëgjithatë ai thotë se ratifikimi i kësaj marrëveshje është obligim pasi është marrëveshje ndërkombëtare dhe implikon shtetin e Holandës dhe Bashkimin Evropian.
E, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi thotë se opozita e bashkuar do ta kundërshtoj ratifikimin e kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës.
Ai nuk ka specifikuar se çfarë veprimesh do të ndërmarrin megjithatë thotë se bashkë më partnerët e opozitës do të bllokojnë secilën seancë për sa kohë që nuk përmbushën kërkesa e tyre kryesore e që është dorëheqja e Qeverisë.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës më herët kishin deklaruar se marrëveshja me shtetin e Holandës nuk ka pse të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe kjo gjë duhet të kalojë vetëm në Qeveri.
Mirëpo, kanë qenë udhëheqësit e shtetit të Holandës të cilët nuk kanë pranuar që selia e kësaj Gjykatë të vendoset në shtetin e tyre pa u ratifikuar në Kuvendet përkatëse.