Burri që vrau gruan në Fier ishte i alkoolizuar dhe me probleme të theksuara mendore. Kështu e ka përcaktuar policia 62-vjeçarin që i mori jetën në mënyrë të pabesueshme bashkëshortes së tij, një gruaje të nderuar në të gjithë lagjen, kur çifti kishin jetuar prej më shumë se tre dekadash. Të afërmit e viktimës tregojnë për dhunën e vazhdueshme në familje, ndërsa çifti jetonte prej vitesh i vetëm, meqë i biri i vetëm kishte emigruar në drejtim të Greqisë, ndërsa e bija ishte në Tiranë. Nga sa është mundur të dokumentohet ditën e djeshme nga dëshmia e tij, por sipas policisë burri vijon të jetë në gjendje tejet të rënduar psikike, gruaja i paska servirur gjellën e ftohtë dhe për këtë arsye e masakroi.
Ndërsa një tjetër version që ai ka nxjerrë për policinë është se ai i kishte kërkuar lekë gruas të dilte edhe ai me shokët e vet, po ajo nuk i paska dhënë. Megjithatë policia bëri të ditur se nga dëshmitë që janë mbledhur nga personat që kanë dijeni, tregojnë se burri kishte kohë që ishte shumë i dhunshëm me gruan, e cila punonte shumë dhe vetëm. Burimet policore sqarojnë se gjendja ekonomike e bashkëshortëve nuk ishte e mirë, ndërsa burri ishte i papunë dhe nuk kishte punuar prej 6 vitesh, që kur ishte hequr nga puna e elektricistit. Policia e Fierit bëri me dije se vrasja mund të ketë ndodhur rreth orës 20.00 të mbrëmjes së të premtes dhe më pas burri e ka mbuluar trupin e pajetë të së shoqes dhe ka qëndruar në banesë derisa ka mbërritur e bija e tyre nga Tirana. Policia bëri të ditur se as ditën e djeshme ai nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë fiks se çfarë ka ndodhur ndërsa mësohet se vijon të mos e besojë se ajo nuk është e gjallë. Ditën e djeshme i është dhënë edhe lamtumira gruas, ndërsa pritet që ndaj burrit të merret masa e arrestit
me “burg pa afat”, dhe madje edhe pa kthim. /N.K./