Pa ndonjë hulumtim serioz, duke fshehur informatat bazë dhe me tituj bombastik disa mediume shqiptare njoftojnë se në Zvicër qytetarët do të marrin 2500 franga rrogë pa punuar fare. E vërteta është: ekziston një ide e tillë utopike, por gjasat që ajo të pranohet nga populli në referendum janë të vogla.
Kush nuk do e dëshironte këtë: rrogë pa punuar fare, pension gjatë gjithë jetës nga shteti, 2500 franga për çdo të rritur, 625 për çdo fëmijë. Kjo ide po diskutohet në Zvicër prej vitesh. Nga viti 2017 Finlanda do të testojë një model të tillë. Parashihet që finlandezët të marrin 1500 euro në muaj pa punuar fare. Në Zvicër pas idesë për rrogë pa punë qëndron Daniel Häni, pronar i një restoranti në basel. Debatin mbi rrogat nga shteti ai e quan «impuls kulturor». Parashihet që sivjet qytetarët zviceranë të votojnë në referendum për nismën e biznesmenit Häni. Sipas tij qytetarët nuk do të jetonin nën presion nga puna. Megjithatë, ata do të punonin, por me më shumë kreativitet, është i bindur zvicerani utopik.
Si funksionin ky model? Shteti do të hiqte dorë nga ndihmat sociale dhe do të thjeshtësonte xhunglën e sistemeve sociale. Miliardat e sistemeve sociale do të përdoreshin për t’iu dhënë rrogë të gjithë qytetarëve. Ideja nuk është e re. Që në mesjetë autori dhe burrështetasi Thomas Morus skicoi shtetin utopik, në të cilin qytetarët marrin rrogë nga shteti. Filozofi francez Montesquieu theksonte se shteti është i obliguar që qytetarëve t’u sigurojë të drejtën e ekzistencës.
Kundërshtarët e idesë si politologu Christoph Butterwege nga Universiteti i Kölnit theksojnë se para nga shteti duhet të marrin ata që kanë nevojë, ndryshe do të shkatërrohej parimi i barazisë sipas nevojës («Bedarfsgerechtigkeit»). Politikanë gjermanë theksojnë se ideja «nuk ka as këmbë, as duar», andaj nuk ka gjasa të miratohet, sepse do të rrotullonte tërë sistemin ekonomik dhe nuk do të ishte e mundshme të financohej.
Shoqata e firmave zvicerane «Economiesuisse» ka tërhequr vërejtjen se nëse miratohet ideja për rrogë falas nga shteti, atëherë tatimi në vlerën e shtuar mund të arrijë në 50 për qind dhe do ta falimentonte Zvicrën. Qeveria e Zvicrës i ka bërë apel qytetarëve që ta hedhin poshtë iniciativën. Ekonomisti Reiner Eichenberger ka deklaruar se rritja e tatimeve i bën njerëzit jo të lirë.
Qeveria në Bernë llogarit se kostoja e rrogës së pakusht nga shteti do të ishte 208 miliardë franga në vit. Për të siguruar këtë shumë do të duhej të vileshin ekstra edhe 153 miliardë franga nga tatimet shtesë. 55 miliardë do të transferoheshin nga sigurimet sociale dhe nga ndihmat sociale. «Iniciativa kërkon diçka që as shoqëria, as politika dhe as ekonomia nuk mund ta bartin», ka thënë deputeti demokristian zviceran Konrad Graber. Ministri i çështjeve sociale Alain Berset, i cili është socialdemokrat, ka deklaruar se miratimi i kësaj nisme mund të rrotullojë krejt shoqërinë dhe sistemet e sigurimeve sociale.
Edhe politikanë të tjerë të majtë si sindikalisti Paul Rechsteiner kanë theksuar se nuk ka kuptim të prishet sistemi i tanishëm. Fundja, ka thënë ai, jetën me dinjitet e garanton Kushtetuta e Zvicrës. Kjo i bie: kush ka nevojë dhe i plotëson kushtet për ndihmë sociale, merr ndihmë sociale nga shteti. Të tjerët duhet të punojnë.
Ky debat nuk është trajtuar fare nga mediumet shqiptare në Ballkan. Portale që jetojnë e mbijetojnë me tekste mashtruese pa ndonjë hulumtim serioz dhe duke fshehur informatat bazë, plus me tituj bombastik, kanë njoftuar se në Zvicër qytetarët do të marrin 2500 franga rrogë pa punuar fare. E vërteta, siç shihet, është kjo: ekziston një ide e tillë utopike, por gjasat që ajo të pranohet nga populli në referendum janë të vogla.