Beteja për tu anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ishte njëra nga kryefjalët, gjatë vitit 2015, e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), Hashim Thaçi, dhe zëvendësit të tij, Petrit Selimi.
Që nga 16 korriku, kur shefi i diplomacisë kosovare kishte dhënë lajmin se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO, e deri më 9 nëntor të këtij viti, ditën kur nën ethe pritej votimi në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s, për atë se a do të bëhej Kosova ose jo pjesë e kësaj familje, ka pasur një fushatë të intensifikuar lobimi, shkruan Telegrafi.
Lobimi
Kosovën në rrugën katërmujore të saj për anëtarësim në UNESCO e kishin mbështetur edhe figura më peshë të politikës dhe artit.
Përveç një sërë shtetesh që kanë lobuar për Kosovën, këtë e kanë bërë edhe individë të veçantë, siç është rasti i ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari, njëherësh ish-ndërmjetësues i bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë në Vjenë.
Mbështetjen e tyre për rrugëtimin e Kosovës në UNESCO e kanë dhënë edhe dhjetëra profesorë universitarë të shquar ndërkombëtarë.
Me nismën e Institutit RIDEA, dhjetë profesorë ndërkombëtarë të shquar në fushat e tyre të dijes dhe nga universitete me renome nga bota perëndimore, i ishin drejtuar me një letër të hapur Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, rreth anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Letër mbështetëse për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, kanë dërguar edhe ish-ambasadorët e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (administratorë të Kosovës gjatë periudhës së UNMIK-ut): Bernard Kouchner, Michael Steiner, Søren Jesen-Petersen, Joachim Rücker.
Këngëtarja me famë botërore, me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka qenë njëra nga mbështetëset e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
“Unë i përkrah përpjekjet e autoriteteve të vendit tim të lindjes në angazhimin e Kosovës në të gjitha forumet multilaterale – duke përfshirë UNESCO, në mënyrë që të sigurohet se populli i Kosovës, rinia e Kosovës, kanë qasje në më shumë mundësi. Gjithashtu, të drejtat e tyre do të mbrohen më mirë”, kishte theksuar Ora, shkruan Telegrafi.
Anëtarësimin e Kosovës në UNESCO e kishin ndihmuar edhe ekspertë të njohur të arkitekturës, saqë njëri mori edhe vëmendjen e ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi.
Thaçi e kishte vlerësuar shumë lobimin e një hebreu hungarez për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Sipas tij, edhe më fantastike këtë gjë e ka bërë edhe faktin se ai është ekspert i Harvardit amerikan për arkitekturë islamike.
“Paramendoni sa fantastike është kur një hebre hungarez, ekspert i Harvardit amerikan për arkitekturë islamike, lobon për Kosovën në UNESCO? Ja shembull i tolerancës globale fetare dhe miqësisë mes popujve. Faleminderit Andras Riedlmayer”, ka shkruar Thaçi.
Në sagën e përpjekjeve që Kosova të bëhet anëtare e UNESCO-s kishte kontribuar edhe Iideri i Aleancës për Kosovë të Re (AKR) dhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili gjatë mandatit të tij pati lobuar shumë për njohje të reja,
Pacolli në një postim në Facebook pati shprehur edhe shqetësimin për mungesë të angazhimit diplomatik për sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën.
Ky ishte postimi i plotë i Pacollit:
“Ja pse njohjet dhe angazhimi lobues janë me rëndësi
Të dashur miq,
Kosova është në rrugë të mirë për të shënuar edhe një sukses në procesin e fuqizimit dhe konsolidimit të shtetësisë. Sponsorizuesit kryesor të pranimit të Kosovës në UNESCO, krahas miqve tanë të mëdhenjë, SHBA dhe vendeve mike të BE, ishin edhe shumë vende nga të gjitha kontinentet e botës, në të cilat për një kohë të gjatë kam zhvilluar aktivitet të ngjeshur diplomatik. Me shumë prej tyre edhe kam arritur suksesin e njohjes dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Shumë nga oponentët e mi politik më kritikonin për këtë angazhim.
Më kritikonin edhe opinionistë dhe analistë të ndryshëm.
Përveç se më kritikonin, shpeshherë kishte edhe tendenca ta minimizonin këtë angazhim timin, madje duke ironizuar me Afrikën dhe njohjet që vinin nga ky kontinent.
Ky angazhim, përveç lodhjes së madhe fizike dhe psiqike, (Serbia në anën tjetër me çdo kusht angazhohej kundër këtij aktiviteti) barte edhe kosto të madhe financiare të cilën normalisht e paguaja nga fondet e mia personale.
Dhe ja ku vijnë frytet.
Me këtë rast unë nuk dua ta minimizoj angazhimin e askujt.
I përgëzoj të gjithë ata që japin kontributin e tyre për shtetin.
Në të njëjtën kohë shpreh shqetësimin tim për mungesën totale të angazhimit diplomatik për sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën. Fundja ja, tani dita ditës po shihet se sa të rëndësishme janë këto njohje, ndërsa në të ardhmen na presin sfida edhe me të mëdha”.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, në kuadër të ndihmës ndërkombëtare kishte marrë mbështetjen ambasadorëve dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare të “Kuint”-it, Turqisë dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, të cilët i kishte mbajtur të njoftuar në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata multilaterale ndërkombëtare.
Për ta ndihmuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, përveç skenës politike, është angazhuar edhe skena fetare e Kosovës.
Krerët e bashkësive fetare në Kosovë janë bërë bashkë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.
Ata i kishin dërguar një letër të përbashkët Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, dhe delegacioneve të vendeve anëtare të UNESCO-s.
Letrën e kishin nënshkruar Myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, Dr. Don Lush Gjergji, Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike në Kosovë, Pastori Driton Krasniqi, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Sheh Lulzim Shehu, Bashkësia e Sufi Tarikateve të Kosovës, Baba Mumin Lama, kryetar i Komunitetit Bektashian në Kosovë, dhe Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike në Kosovë.
Megjithatë, mbështetja e parezervë e bashkësive fetare në Kosovë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, nuk ishte përkrahur edhe nga Kisha Ortodokse Serbe.
Kjo kishë ka vendosur edhe sikurse herët e kaluara, që të bëjë apologjetin e politikës zyrtare të Beogradit.
Patriarku serb Irinej, pati deklaruar ditë më parë se mbështetësit e ashtuquajtur të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, dëshirojnë ta konfiskojnë trashëgiminë kulturore serbe.
Irinej, në emër të Kishës Ortodokse Serbe ka bërë thirrje që “të gjithë njerëzit e përkushtuar dhe ortodoksë, ata të vullnetit të mirë dhe ata që kujdesen për drejtësinë në botë, ta kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, e cila do të jetë e barasvlershme me një katastrofë humanitare dhe shkatërrim të objekteve të shenjta të trashëgimisë ortodokse në Kosovë dhe botë”.
“Jemi të bindur se këto informacione që janë në dispozicion do të ndihmonin, për informim më të shpejtë dhe efikas. Besojmë se do të ndihmojë anëtaret e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s, pavarësisht të gjitha presioneve, që të marrin vendimin e duhur përpara seancës dhe ta ruajnë trashëgiminë ortodokse serbe në provincën jugore serbe”, kishte shtuar Irinej.
Fitorja në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s dhe dështimi në Asamblenë e Përgjithshme
Derisa me 21 tetor, në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s, Kosova shënoi një fitore, duke u votuar që të hyjë në agjendën e Konferencës së Përgjithshme që do të mbahej një muaj më pas, shpresat ishin rritur dukshëm që shteti më i ri në Evropë do të bëhet pjesë e këtij mekanizmi.
Nga votimi në Këshillin Ekzekutiv, këto ishin rezultatet: për Kosovën votuan 27 vende, ku 14 ishin kundër ndërsa 14 u përmbajtën.
Pas një fushate katër mujore lobimi dhe angazhimi të institucioneve të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe atë kombëtare, për ta masovizuar sa më shumë çështjen e anëtarësimit në UNESCO, erdhi momenti kur krejt ky angazhim do të testohej me votimin në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s, me 9 nëntor të këtij viti.
Kosova, me 92 vota pro, 50 kundër dhe 29 abstenime, Kosova nuk e fitoi të drejtën për anëtarësim në UNESCO.
Reagimet
Pas këtij vendimi i menjëhershëm kishte qenë reagimi i shoqërisë civile dhe opozitës kosovare.
Analisitët kosovarë kishin theksuar se ky dështim i Kosovës, është fitore e Serbisë dhe se dikush sipas tyre, duhet të jap llogari për këtë “betejë” të humbur.
Analisti Arben Ahmeti, kishte theksuar se dialogu i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë më nuk ka kurrfarë kuptimi.
Sipas tij, pezullimi i tij është hap i domosdoshëm.
“Natyrisht se dështojmë sepse Ministria e Jashtme qëllimin kryesor të funksionimit për këto vite e ka pasur rehatimin e militantëve politikë në diplomaci. Punët tjera ua kemi lënë ndërkombëtarëve”, kishte shkruar Ahmeti.
Publicisti Adriatik Kelmendi, për dështimin e Kosovës për tu anëtarësuar në UNESCO, në profilin e tij në Facebook kishte shkruar se kjo është “edhe një fitore e Pirros për Serbinë”.
”#UNESCO. Të lumtë ata për vete ”, kishte shkruar Kelmendi.
Derisa analisti Imer Mushkolaj, kishte thënë që për dështimin e Kosovës, dikush duhet të jap përgjegjësi.
“A ka kush pikë përgjegjësie për këtë dështim t’fuqishUm”, kishte shkruar Mushkolaj.
E publicisti Halil Matoshi, kishte thënë se për këtë dështim “së pari fajtor jemi vet”.
“Spari fajtor jemi vet, lidershipi i Kosoves që dje, (2004) nuk i ndali kinse patriotat trutharë dhe kriminelë kur iu vërsulen kishave ortodokse serbe; Sot, fajtor asht vetëm lidershipi që dështoi t’i bind edhe disa vende liberale pse Kosova duhej me u ba anëtare e UNESCO-s – për arsye shkollimi e qytetnimi – që në masë të madhe i mungon!?”, kishte shkruar Matoshi.
Tone jo më pak kritike nuk vinin as nga opozita kosovare e cila kishte thënë se votimi kundër anëtarë simit të Kosovës në UNESCO, veçanërisht nga shtetet që e kanë njohur Kosovën, është cilësuar si dështimi më i madh i diplomacisë kosovare nga tri forcat politike opozitare në vend.
Liderët opozitarë, Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj i Nismës për Kosovën, duke fajësuar edhe fushatën, siç thanë ata, “agresive dhe raciste serbe kundër Kosovës”, kërkuan ndërprerjen e dialogut me Serbinë.
“Sjellja e Serbisë në raport me Kosovën, dje ka dëshmuar edhe një herë se sa e dëmshme është mënyra dhe qasja që qeveria e Kosovës i është drejtuar dialogut me Serbinë. Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë që ky lloj dialogu të ndërpritet. Kosova duhet urgjentisht të fillojë ta rishikojë çështjen e dialogut, dialog i cili duhet të fillojë me kushtëzimin e njohjes së Kosovës nga Serbia”, kishte thënë Limaj.
Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se fushata e Serbisë duhet të jetë e papranueshme, veçanërisht nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Sipas tij, “këmbëngulja e palës kosovare për respektimin e marrëveshjeve po dëmton në vazhdimësi Republikën e Kosovës”.
Haradinaj shtoi se vazhdon të qëndrojë kërkesa e tyre për anulimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi.
Por, edhe shefi i diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi kishte thënë se përvoja – dështimi në UNESCO e ka bërë të qartë se i tërë Ballkani Perëndimor duhet të hyjë “në pako” në BE. Përndryshe, nëse do t’i lejohet, Thaçi ka thënë se Serbia përsëri do të provojë të pengojë Kosovën në rrugën e integrimit euro-atlantik.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka thënë se pavarësisht mospranimit të Kosovës në UNESCO, beteja për anëtarësim në këtë organizatë do të ketë impakt pozitiv për Kosovën.
Ndonëse rezultati nuk qenë i dëshiruar, ai ka vlerësuar se Kosova e ka përforcuar rrjetin e miqësisë si dhe ka krijuar kanale të reja të komunikimit.
Selimi, pati thënë pas dështimit të Kosovës në UNESCO se “duhet të bisedohet sinqerisht me Brukselin rreth fushatës agresive dhe raciste të Serbisë”.
Pala kryesore që e pengonte Kosovën që të bëhet pjesë e UNESCO-s ishte Serbia, e cila kishte angazhuar një arsenal të tërë për ta pamundësuar këtë rrugëtim të Kosovës.
Partia Popullore e Serbisë (SNP) i pati bërë thirrje nëpërmes një deklarate për shtyp, Qeverisë së Serbisë që të filloj një iniciativë diplomatike të fortë kundër pranimit të Kosovës në UNESCO.
“Serbia duhet të nisë një thirrje publike për ndihmë nga Rusia që me diplomacinë e saj të ndikojë në numrin e vendeve anëtare të UNESCO-s për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë”, thuhej në deklaratën e SNP-së.
Gjithashtu, sipas SNP-së, Serbia duhej të drejtohen në diskutime me vendet BRIKS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika Jugore), që i quan miq të vjetër dhe të harruar disa nga ta, për të kërkuar ndihmën e tyre në votat kundër Kosovës.
Zyrtarë të Partisë Popullore të Serbisë patën theksuar se në trashëgiminë që ndodhet në Kosovë është mbështetur i tërë populli serb dhe se ata nuk do të lejojnë që identitetin e tyre si popull, ta merr Kosova, që cilësohet përsëri si pa identitet dhe një popull pa të ardhme.
Autoritetet serbe, nuk ishin ndalur me kaq, duke vazhduar fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke e lansuar një faqe interneti.
Pas postimit të disa filmave në internet rreth krimeve, siç ata i kanë quajtur të “terroristëve shqiptarë” në Kosovë, uebfaqja nokosovoinunesco.com ishte aktivizuar online, duke i dokumentuar mesazhet urrejtëse ndaj serbëve, kishat, varret e shkatërruara dhe veturat e djegura.
Fushatës iu ka bashkangjitur edhe presidenti serb Tomislav Nikoliq, duke apeluar tek populli serb që ta shpërndajnë të vërtetën për Kosovën nëpërmjet postimit online në rrjete sociale.
“Derisa ajo që është e jona po debatohet në Paris, ne nuk mund të rrimë të qetë nëpër shtëpitë tona dhe në mënyrë naive të besojmë se e vërteta do të fitoj vetvetiu, pa përpjekjet e ndonjërit nga ne – ne mund të bëjmë diçka, sado e vogël që mund të duket”, pati deklaruar Nikoliq.
Serbia është përpjekur që edhe Selinë e shenjtë (Vatikanin), me të cilën Kisha Ortodokse Serbe ndodhet në dialog konstruktiv, ta ketë në anën e saj. Zyrtari serb në UNESCO, kishte thënë se Vatikani ka shfaqur përgjegjësi shembullore nga aspekti i shqetësimeve për fatin e trashëgimisë shpirtërore e kulturore kristiane në Kosovë.
Ambasadori i Serbisë në UNESCO, Darko Tanaskoviqin, e kishte quajtur me dobi lobimin përmes kishave simotra, që do të ndikonin në shtetet anëtare, pra edhe të kishës katolike, për mospranimin në UNESCO që, sipas tij, janë shkaktarë të shkatërrimit dhe të përdhosjes së monumenteve mesjetare serbe në Kosovë.
Deklarata më pompoze kishte dhënë ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, e theksuar se pranimi i Kosovës në agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), do të ishte absurde.
Sipas Daçiqit s’mund të jetë anëtar i UNESCO-s një vend islamik.
“Trashëgimia kulturore në Kosovë, ku katër nga tempujt tonë të shenjtë janë deklaruar si trashëgimi kulturore botërore – Manastirin e Deçanit, Patriarkanën e Pejës e të Graçanicës dhe kishën e Shën Premtës në Prizren, UNESCO i ka shpallur si trashëgimi e mbrojtur kulturore për shkak se ishin në rrezik. Dhe nga kush ishin në rrezik? Propozimi i Kosovës në UNESCO do të ishte sikurse të kërkohej që Shteti Islamik – ISIS-i, të anëtarësohej në këtë organizatë. Cili është dallimi në mes Kosovës dhe ISIS-it?, kishte deklaruar Daçiq.
Humbja e kësaj beteje do ta bëjë Kosovën që të presë dy vite për të aplikuar sërish që të bëhet pjesë e UNESCO-s.