Mospajtimet që ishin në Komision parlamentar për buxhet dhe financa sa i përket ndarjes së buxhetit për RTK-në, tashmë janë tejkaluar.
Anëtarët e komisionit, njofton rk, janë pajtuar që për gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm, RTK-së t’i ndahen 4.8 milionë euro. Nënkryetarja e Komisionit për buxhet dhe financa, Safete Hadërgjonaj, vlerëson se kjo është e mjaftueshme që RTK-ja të punojë si institucion i pavarur
Qeveria kishte propozuar 4 milionë për RTK-në, e me këtë ishte pajtuar edhe LDK-ja si pjesë e koalicionit qeverisës. Por, partneri tjetër i koalicionit, PDK-ja, kishte kërkuar që për gjashtëmujorin e parë RTK-së t’i ndahen 5 milionë. Kishte pasur probleme në Komisionin për buxhet dhe financa lidhur me këtë, por tashmë kjo është tejkaluar. Komisioni ka arritur pajtueshmërinë edhe sa i përket buxhetit për RTK-në për gjashtë muajt e parë të vitit 2016.
Safete Hadërgjonaj, nënkryetare e Komisionit për buxhet dhe financa, thotë se buxheti i RTK-së po ashtu është harmonizuar dhe tani është pjesë e tabelave buxhetore të buxhetit të Kosovës.
“Jemi dakorduar që me buxhetin 6 mujor të ketë 4 milionë e 800 mijë euro për RTK-në. Jemi harmonizuar dhe dakorduar të gjithë që për këtë pjesë të vitit të ketë kaq mjete”, tha Hadërgjonaj.
Hadërgjonaj theksoi se edhe me ndihmën e Qeverisë, komisioni ka bërë përpjekje maksimale që RTK-ja të ketë mjete të mjaftueshme, deri në rishikim të buxhetit, ndërsa shtoi se gjatë kësaj kohe duhet të gjindet mundësia e vetëfinancimit të mediumit publik.
“Kemi pasur kujdesin maksimal që me mjetet të cilat indahen, ta ruaj pavarësinë e vetë, ashtu siç është i konstituuar ky institucion që të punojë i pavarur dhe ne kemi bërë një zgjidhje, besoj të mirë dhe RTK-ja do të ketë mjete të mjaftueshme për këtë gjashtëmujorin e parë”, tha Hadërgjonaj.
Ndryshe, Komisioni parlamentar për buxhet dhe financa tashmë ka përfunduar punën sa i përket amandamentimit të Projektbuxhetit për vitin 2016, dhe është proceduar për shqyrtim të mëtejmë. Hadërgjonaj tha se gjatë punës intensive, Komisioni për buxhet dhe financa është përpjekur që të ketë kujdes që kufijtë buxhetorë të mos lëvizin dhe të jenë të harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar.