Lajmet e fundit
Sa janë gjasat për manipulim të votave?

Sa janë gjasat për manipulim të votave?

Manipulimi i votës në zgjedhjet e kaluara të zhvilluara në Kosovë ka qenë problemi i cili është ngritur vazhdimisht nga partitë opozitare. Analistët e çështjeve zgjedhore theksojnë se mundësia për keqpërdorim të votave gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit do të jetë minimale, për shkak të sensibilizimit të subjekteve politike dhe institucioneve përgjegjëse për ta mbrojtur votën.

Ish kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Mazllum Baraliu, ka theksuar për Telegrafin se është për tu përshëndetur ecuria e deritanishme e fushatës zgjedhore, për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Sipas tij, deri më tani fjalori i përdorur gjatë fushatës zgjedhore nga partitë politike ka qenë mjaft i ekuilibruar.

Ai beson se subjektet politike janë përgatitur për ta ruajtur votën prej keqpërdorimeve të mundshme, të cilat kanë ndodhur në zgjedhjet e kaluara.

“Mendoj që mobilizimi i partive për ta ruajtur votën prej keqpërdorimeve dhe vjedhjes është sinjal i rëndësishëm për seriozitetin e subjektet politike gjatë këtij procesi. Paralajmërimet e organeve të ndjekjes se do të jenë të vëmendshëm gjatë procesit të votimeve është edhe një tregues për mobilizim e institucioneve të Kosovës, karshi këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Baraliu.

Shqipe Pantina nga Qendra për Politika dhe Avokim, shpreson se gjatë këtyre zgjedhjeve do të ketë më pak mundësi për manipulim të zgjedhjeve për disa arsye.

“Arsyeja e parë është fushata vetëdijesuese për pasojat që do t’i kenë manipuluesit e votave – fushata e zhvilluar nga OJQ-të dhe institucionet tjera siç është: gjyqësori dhe Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në kuadër të KQZ-së. Arsyeja e dytë është se deri më tani kemi pasur disa komisionerë të dënuar për shkak të përfshirjes së tyre në manipulim të votave. Arsyeja e tretë është se partitë politike janë konsoliduar goxha shumë në mbrojtjen e votës”, ka thënë Pantina për Telegrafin.

“Kësaj here kemi arsye shumë më shumë që të organizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse Kosova ka hyrë në procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) dhe procesi zgjedhor është një nga pikat kyçe në procesin e integrimeve evropiane”, tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.