Në Austri që nga viti 1997 aplikohet një taksë për përdorimin e autostradave. Paratë që mblidhen nga kjo taksë përdoren drejtpërdrejt për riparimin e rrugëve, sqaron për DW Bernhard Wiesinger, zëdhënës i autoklubit të Austrisë.
Nga taksa për përdorimin e autostradave mblidhen rreth 1,1 miliardë euro. Rreth 400 milionë euro të tjera vijnë nga taksa që mblidhet prej automjeteve të huaja që kalojnë nëpër Austri. “Pickerl” sikurse quhet kjo taksë në gjuhën popullore, kushton 80.60 euro për një vit, 24.20 euro për 2 muaj, 8.30 euro për 10 ditë.
Në Zvicër nuk ka dallime të tilla dhe kjo taksë është vjetore që kushton 40 franga. Në Itali, Spanjë apo Francë taksa për përdorimin e autostradës varet nga kilometrat. Në Francë, ndryshe nga Austria apo Gjermania, autostradat janë në shumicën e tyre private. Pagesa është 7 cent për kilometër. Por, sipas një ligji të vitit 1955, taksa nuk vlen për të gjitha segmentet e autostradave.
Fitimet nga taksa shkojnë një pjesë te pronarët privatë dhe një pjesë përdoret për riparimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Bernhard Wieland, profesor në Universitetin Teknik në Dresden, mendon se në Gjermani, ku autostradat janë shtetërore, nuk mjafton vetëm marrja e sistemit të Francës. Të nevojshme janë studime për orët e pikut në autostrada dhe se cilat prej autostradave shfrytëzohen më tepër. Sepse, vetëm kështu mund të bëhet e qartë se ku duhen inve.stuar paratë e mbledhura nga taksat
Gjithsesi ai mendon se taksa e bazuar në kilometra është më e mirë sesa modeli kohor që përdoret në Austri.