Lajmet e fundit

Safet Gërxhaliu thotë se bizneset janë lodhur nga politika. Saktë, por ato janë lodhur edhe nga Safeti!

Nëse kriza politike vazhdon të manifestohet edhe në vitin 2016, ajo do të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme interesat kosovare me prioritet për vitin e ardhshëm.

Të gjitha këto lidhen me përqendrimin e të gjitha kapaciteteve politike dhe ekonomike në përmbushjen e marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim që Kosovës i hap edhe zyrtarisht perspektivën evropiane.

Kjo u bë e ditur në një konferencë për medie të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me SPARK nga Holanda dega në Kosovë për të lansuar aktivitetin e përbashkët kushtuar informimit të komunitetit të biznesit lidhur me përparësitë dhe sfidat me të cilat do të ballafaqohet me rastin e fillimit të implementimit të MSA me Unionin Evropian.

Në këtë konferencë u tha se Kosova nuk e ka luksin që të rrezikojë përmbushjen e kësaj marrëveshje dhe vendit i duhet konsensus politik që do të sigurojë që marrëveshja gëzon prioritet pa marrë parasysh proceset e brendshme politike.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha se kjo Odë pretendon t’i mbajë disa aktivite te me komunitetin e biznesit për sfidat dhe përparësitë e marrëveshjes së MSA-së.

Takimet pritet të mbahen më 18 dhjetor në Prizren, më 28 dhjetor në Mitrovicë dhe më 29 dhjetor në Prishtinë. Gërxhaliu tha se për këto aktivitete të OEK-ut dhe për ekonominë në përgjithësi, politika është duke e stërngarkuar agjendën ditore dhe sipas tij edhe vet komuniteti i biznesit është lodhur me veprimet e skenës politike në vend. Ai tha se për OEK prioritet i prioriteteve duhet të jetë zhvillimi ekonomik.

Gërxhaliu: Kaosi politik është duke dëmtuar Kosovën në zhvillimin ekonomik

“Jemi dëshmitarë të asaj që kaosi politik i krijuar kohëve të fundit është duke dëmtuar Kosovën në dimensione të ndryshme, mirëpo dimensioni më shqetësues është definitivisht dimensioni integrues dhe e tëra kjo do të ndikojë jo vetëm për pranimin në UNSESCO, jo vetën në liberaliz im, mirëpo do të ndikojë edhe në prolongimin e fillimit të implementimit zbatimit të MSA-së. Në këtë drejtim po e shihini se për hire të tekeve dhe të interesave politike po dëmtohet komuniteti i biznesit dhe kur dëmtohet ky komunitet drejtpërdrejt ndikon në jetën dhe standardin e qytetarëve”, tha Gërxhaliu.

Ai tha se kanë menduar se në vitin 2015 do të rikuperohen pasojat e vitit 2014, por brenga e tyre mbetet për 2016 në qoftë se vazhdohet me këtë avaz dhe me këtë tempo.

Kurse, përfaqësuesi i SPARK nga Holanda dega në Kosovë Amir Kosumi tha se bizneset duhet të jenë më mirë të informuara për mundësitë e përfitimit dhe lehtësirat që do t’i kenë nga nënshkrimi i MSA-së. Dhe për këtë SPARK në bashkëpunim me OEK do të realizojnë projektin nëpër disa komuna për njoftimin e bizneseve nga ekspert të lëmisë të cilët kanë pasur ndikim të madh në draftimin e MSA-së.

Kosumi: T’i njoftojmë bizneset se cilat janë përfitimet reale nga MSA

“Kemi identifikuar edhe një mungesë të bizneseve me informatat se çka përfitojnë bizneset nga nënshkrimi marrëveshjes së MSA-së, në bashkëpunim me odën ekonomike… ekspertët e lamisë të cilët më të vërtet kanë pasur ndikim të madh në draftimin e MSA-së për vite të tëra t’i njoftojmë edhe bizneset se cilat janë përfitimet reale, cilat janë lehtësirat të cilat bizneset do të përfitojnë nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje”, tha Kosumi.

Kompanitë kosovare me MSA-në do të kenë qasje më të lehtë për të hapur dhe zhvilluar biznes në vendet e Bashkimit Evropian dhe e njëta gjë do të vlejë edhe për kompanitë që vijnë nga vendet e BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published.