Kryesia e Kuvendit vendosi sot që seanca e ndërprerë të enjten e kaluar të vazhdojë të martën. Kryeministri Isa Mustafa pritët që në seancë t’i njoftojë deputetët për marrëveshjet e fundit.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka kërkuar nga opozita që të mos bëjë teatër në sallën e Kuvendit.
Veseli ka kërkuar që të gjithë të bëjnë debat dinjitoz. Por kryekuvendari ka kërkuar po ashtu nga ekzekutivi që të jetë më korrekt me deputetet e jo dy ditë më herët të kërkojë shtyrjen e raportimit.
Seanca e Kuvendit qe ndërprerë të enjten para kohe, pasi opozita nuk lejoi kryesuesin e seancës, Sabri Hamiti, ta nxjerr në votim mocionin e LDK-së për shtyrjen e raportimit të kryeministrit Isa Mustafa, i cili kishte kërkuar vetë të informonte deputetët për marrëveshjen e fundit.
Mungesa e Hashim Thaçit e ka bërë të pasigurt Isa Mustafën që të përballet i vetëm me deputetët, që po kundërshtojnë fuqishëm 4 marrëveshjet me Serbinë.
Kjo ngriti në këmbë të gjithë deputetët opozitarë. Ata, të vendosur, nuk largoheshin e nuk e lejonin as kryesuesin të vazhdonte rrjedhën e seancës, që bëri që seanca të mos vazhdonte.
Opozita ka nisur nënshkrimin e një peticioni për anulimin e disa marrëveshjeve me Serbinë.