Kuvendi i Kosovës seancën e parë për sesionin pranveror pritet ta mbajë më 28 ose 29 janar, ka mësuar Interaktiv në KTV nga burime e saj brenda institucionit legjislativ të vendit.
Megjithëse, sesioni i ri zyrtarisht nis të martën, kur edhe mbahen mbledhjet e dy komisioneve parlamentare, partitë në pushtet kanë diskutuar paraprakisht që seanca të mbahet të enjten ose të premten e fundit të janarit.
“Data është diskutuar paraprakisht sepse tani nuk janë të gjithë në Kosovë dhe as Kryesia nuk ka kuorum që të mblidhet. Disa nga anëtarët e Kryesisë, si Sabri Hamiti, nuk janë këtu. Gjithashtu kryetari Kadri Veseli nuk është”, ka thënë ky burim për KohaVisionin, i njohur me zhvillimet në Kuvend.
Asnjë seancë normale, pos atyre solemne dhe asaj të miratimit të MSA-së, Kuvendi nuk ka arritur ta mbajë në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Gaz lotsjellës e përleshje ka pasur në secilën seancë, kurse deputetët e partive në pushtet mbledhjet i kanë mbajtur kryesisht në sallën e improvizuar të ndërtesës së Kuvendit. I njëjti skenar pritet të vazhdojë edhe tash, kanë paralajmëruar tri partitë opozitare që kundërshtojnë marrëveshjen për Asociacionin dhe atë për demarkacionin.
Para seancës, kryeministri Mustafa pritet të shkojë në Bruksel më 27 janar, ani pse ende zyrtarisht nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen. Në fund të 2015-ës pati deklaruar se procesi i bisedimeve rrezikohet për shkak se Kosovës i është refuzuar edhe një herë liberalizimi i vizave.
Por, kur është takuar në fund të javës që shkoi me Angelina Eichhorst, drejtoreshë për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor në BE, Mustafa kishte thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të vazhdojë dialogun me Serbinë.