Lajmet e fundit

Sejdiu kundër shkarkimit të Rektorit, thotë se ai dha shpresa për UP’në

Ish-Presidenti Fatmir Sejdiu , në një deklaratë për Gazetën Express,ka reaguar kundër shkarkimit të Rektorit Ramadan Zejnullahu. Ai ka thënë se i ka përcjellë përpjekjet e Rektorit për të lëvizur pozitivisht proceset në UP.

Ja çfarë thotë Sejdiu në reagimin e tij.

E vlerësoj si një vendim të nxituar. Aq më tepër, kjo lidhet me proceset jashtëzakonisht delikate që po e përcjellin Universitetin e Prishtinës, në këtë periudhë kaq të ndjeshme të zhvillimit të vendit.

Kam përcjellë me vëmendje përpjekjet e profesor Zejnullahut, për të lëvizur pozitivisht proceset brenda UP-së, dhe kujtoj se vendimi i djeshëm e vështirëson ecjen e shpejtë të Universitetit në reformimin e tij më dinamik dhe konform standardeve më bashkohëse të arsimimit të lartë.

Jemi dëshmitarë se në këtë periudhë të ecjes dhe zhvillimit të Universitetit të Prishtinës, janë paraqitur pengesa të shumta, të cilat deshëm apo nuk deshëm kanë lënë gjurmë jo të mira në zhvillimin e tij.

Prandaj, në këtë ndjeshmëri kohe dhe në gatishmërinë e profesor Zejnullahut të përballet me to, vlerësoj se ka qenë një hap shpresëdhënës për të dalë më shpejtë nga vorbulla në të cilën Universiteti qëndron.

Mendoj se institucionet e vendit, kanë për borxh të analizojnë mirë gjithë këto procese, gjithmonë konform ligjit për të kontribuar në kthimin e normalitetit në Universitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.