Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, në emisionin “Info- Box” të TV Dukagjini, ka theksuar se edhe nesër (kur pritet të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës) do të vazhdojë protesta e opozitës kundër “Zajednicës”, duke lënë të kuptohet se do të veprojnë njëjtë sikurse në seancat e kaluara.
Sipas tij, kushdo që pret nga LVV-ja dhe opozita që të tërhiqet nga veprimet përmes të cilave ndalohet ‘Zajednica’ e ka gabim, duke shtuar “se ata si spektër opozitar e kanë përnime”.
“Edhe në seancat paraprake është vendosur që të vazhdojë seanca, por ne kemi qenë dhe jemi të vendosur që të mos e lejojmë një gjë të tillë, pa tërheqjen e nënshkrimeve për Zajednicën. Ne e kemi nda mendjen që ta vazhdojmë protestën deri në zhbërjen e Zajednicës”, ka thënë Selimi.
Ai ka folur edhe për vendimin e Kryesisë së Kuvendit, në të cilin parashihet që në seancën e së enjtes secili deputet të kontrollohet fizikisht, para së të hyjë në sallën e Kuvendit, duke theksuar “se kjo nuk është hera e parë që po ndërmerren veprime policore ndaj deputetëve”.
“Ky vendim i Kryesisë së Kuvendit është vendim i padrejtë dhe i paligjshëm. Në do të vazhdojmë. Cilido vendim dhe akt policor kundër nesh do të jetë i sfiduar nga qëndrueshmëria jonë”, ka shtuar Selimi.