Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Aleksandar Vulin ka thënë për B92 se objektivat e Qeverisë serbe janë të qarta lidhur me pranimin e Kosovës në UNESCO.
“Mendoj se më e mira në këtë moment është shtyerja e këtij vendimi. Më e mira do të ishte që Kosova të mos pranohej në UNESCO, që ne mos të flisnim për këtë por pas kësaj, opsioni më i mirë do të ishte që vendimi të shtyhej” ka thënë ai.
Lidhur me pritjet e Serbisë për shtyrjen e vendimit për pranimin e shtetit të Kosovës në UNESCO ka folur edhe zëvendësministri i Punëve të jashtme të Kosovës Petrit Selimi.
“Shtyerja e vendimit për Kosovën është sikur edhe ndalimi i hyrjes së Kosovës në UNESCO. Pse të shtyhet? Nuk ka kurrfarë kuptimi të shtyhet diçka që ka përfunduar”, ka thënë Selimi për B92, transmeton Klan Kosova.
Selimi është shprehur se anëtarësimi i Kosovës do të ishte më i mirë për paqen në Ballkan se sa mos anëtarësimi i saj.
Sot në agjendën e Konferencës së Përgjithshme të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO do të merret edhe vendimi final për anëtarësinë e Kosovës në këtë agjenci.