Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përsëri ka nxitur reagime në Serbi.
Një foto, e postuar në Facebook nga Rama me simbole të shtetit shqiptar dhe atij kosovar, e cilësuar sipas kryeministrit “fotoja e viti 2015” ka qenë arsye e reagimit të komentuesve serbë, njofton Klan Kosova.
“Një provokim i ri i Edi Ramës”, shkruajnë mediat serbe, të cilat thonë se, “ëndrra e Shqipërisë së madhe e shprehur në takimin e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Tiranë është shfaqur edhe në këtë fotografi”.
Reagime kanë ardhur edhe nga zyrtarët serbë, që e kanë kthyer foton në një nga temat më të rëndësishme në Serbi, shkruan Top Channel.
Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, ka thënë se, shpreson që ideja e Shqipërisë së madhe të ngelet një ëndërr dhe jo një makth i rajonit.
“Pyes veten se si do të reagonin BE-ja dhe OKB-ja nëse në Facebook kryeministri i Serbisë do të bënte një koment të ngjashëm për territoret e ndryshme në Ballkan”, ka thënë Gjuriq.
Ai ka theksuar se, Serbia nuk do të lejojë kurrë që Rama dhe Hashim Thaçi të realizojnë këto ëndrra. Fokus i veçantë i është kushtuar shprehjes “një tokë, një popull, një ëndërr”, e ku fjala “tokë” në serbisht mund të nënkuptojë edhe një vend apo shtet.