Lajmet e fundit

“Serbia po na kolonizon, Qeveria po e lejon”

Shqiptarët nga Veriu i Mitrovicës po dëbohen nga shtëpitë e tyre dhe nuk po lejohen më të kthehen atje, ndërsa përkitazi me këtë dëbim Serbia ka filluar kolonizimin e ri në atë pjesë të Kosovës, thuhet në një deklarim të Lëvizjes Vetëvendosje, të publikuar në faqen zyrtarë të Lëvizjes, njofton Klan Kosova.

“Paralelisht me këtë pengim të dhunshëm të shqiptarëve për t’u kthyer në pronat e tyre po ndodh një kolonizimi ri të cilin sigurisht e ka lehtësuar në terren nënshtrimi i Qeverisë së Kosovës përballë Qeverisë së Vuçiqit e veçanërisht projekti i ‘Zajednicës’”.

“Ndërtimi që po ndodh së fundi, i 300 shtëpive për 1200 – 1500 banorë të rinj ku sigurisht nuk mungon e gjithë infrastruktura por dhe objektet me sinjalistikë etnike shoqërohet me obligimin për punësim të qëndrueshëm të së paku një anëtari të familjes nga këto shtëpi. E gjitha kjo e financuar nga Qeveria e Serbisë nuk është asgjë tjetër përpos një kolonizim i ri në territorin e Kosovës”.

“Vendndodhja e këtij kompleksi është pak mbi Kroin e Vitakut, në Mitrovicë dhe kjo tregon qartazi pse serbët kundërshtojnë fuqishëm rindërtimin dhe kthimin e shqiptarëve atje. Kjo tregon edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës, organet e rendit të Republikës së Kosovës, asnjëherë nuk ndërmorën asnjë veprim për t’ua siguruar shqiptarëve kthimin e sigurt në shtëpitë e tyre, dhe qytetarëve lëvizjen e lirë në atë pjesë të Kosovës”.

“Rikujtojmë se rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në Suhadoll, Kroi i Vitakut, Lumbardh është i domosdoshëm referuar të drejtave universale, e interesit shtetëror e kombëtar. Pengimi i kthimit të shqiptarëve është ndihmë për planet kolonizatore të Serbisë në veri të Mitrovicës”, thuhet në shkrimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.