Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala është shprehur se informacioni se Serbia po i përgjon institucionet dhe organet e sigurisë së Kosovës është i vërtetë.
Ai tha se këtë informacion e ka marrë nga organet e sigurisë së Kosovës dhe se kjo është e vërtetë ndërsa ky përgjim sipas tij vjen nga pjesa veriore e Kosovës dhe se institucionet duhet t’i largojnë antenat e tyre.
Këto deklarata Shala i ka bërë pas përfundimit të mbledhjes së këtij komisioni ku tha se është sqaruar para anëtarëve të komisionit rreth kësaj deklarate të tij.
Ndërkohë në këtë komision është formuar edhe një grup për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për klasifikimin e informacionit dhe verifikimit të sigurisë.
Kjo pasi që sipas Shalës këto dy ligje kanë qenë shumë problematike në zbatim ndërkohë ai ka shtuar se këtë nismë e ka marrë pasi që në 6 mujorin e parë nuk kanë arritur ta ndryshojnë ligjin për verifikimin e sigurisë për ta nxjerrë këtë departament të AKI -së jashtë këtij institucioni si të pavarur.