Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka takuar anëtarët e Këshillit Drejtues të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (IMMK), me të cilët diskutoi për punën e deritashme dhe planet për vitin tjetër të IMMK-së.
Këta të fundit e kanë informuar Shalën për punën e Këshillit dhe koordinimin me stafin e IMMK-së dhe kanë bërë vlerësimin e situatës së vet Institutit dhe bashkëpunimin me institucionet tjera që ndërlidhjen me Trashëgiminë Kulturore të Kosovës, si Institutin Arkeologjik të Kosovës dhe Qendrat Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.
Ata e kanë njoftuar ministrin edhe për planin e punës për vitin 2016 dhe për sfidat që mbeten për të ardhmen të këtij Intituti si plotësimin e kuadrove dhe ngritjen e kapaciteteve ekzistuese.
Shala e ka vlerësuar punën në përgjithësi në fushën e Trashëgimisë Kulturore duke thënë se fusha e trashëgimisë, e në kuadër të saj, edhe ajo e mbrojtjes së monumenteve, restaurimi dhe konservimi i tyre, janë çështje e profesionistëve dhe MKRS-ja do t’i përkrah projektet dhe ekspertët e këtyre fushave, transmeton Klan Kosova.
Ai poashtu u shpreh se përkundër nevojave të shumta që ka fusha e trashëgimisë dhe ruajtja e monumenteve të vjetra nëpër tërë Kosovën, për t’i konservuar, restauruar e promovuar, Ministria do të punojë në vazhdimësi që në bazë të prioriteteve dhe ekspertizës të mbështesë projektet në këtë fushë.