“Shtetet e Bashkuara fuqishëm i mbështesin aspiratat e Serbisë që t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe dialogun e Serbisë me Kosovën”.
Kështu ka kumtuar ambasada amerikane në Beograd, teksa i ka ftuar të gjitha palët që të përqendrohen në brendinë e çështjeve kontestuese, siç janë përpjekjet e Kosovës që të hyjë në UNESCO, duke iu shmangur trajtimit provokues i cili i mbyll të gjitha rrugët e bashkëpunimit”.
Ndërkohë, mediat në Beogradkanë njoftuar sot se presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi u ka thënë ambasadorëve të akredituar në Beograd se, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013, Serbia i ka kryer obligimet e veta dhe nuk e kursen mundimin që t’i plotësojë plotësisht, por pranimi i Kosovës në UNESCO është problem serioz me të cilin po ballafaqohet Serbia, rajoni, por edhe bota, përcjell koha.net.
Ai ka thënë se shqyrtimi i kërkesës për pranim të Kosovës në UNESCO do të ndikonte negativisht në dialogun e Brukselit dhe se, siç tha ai, çdo marrëveshje e imponuar do të ishte fidanishte e konflikteve të ardhshme.
“Paramendoni që në vendet tuaja trashëgimia më e dashur kulturore të kalojë në duart e atij që s’i ka bërë dhe i cili disa herë është përpjekur t’i shkatërrojë. Është njësoj sikur t’ia lësh ujkut ta ruajë vathën me dele”, ka thënë Nikoliq raporton B92, transmeton Koha.net.
Nikoliq ambasadorët e 80 shteteve i ka lutur që “sinqerisht të mendojnë për të kuptuar se në ç’vështirësi janë gjendur serbët”. Në Kosovë, ka shtuar ai, nuk ruhet vetëm kultura serbe, por edhe ajo evropiane, mbamendja botërore dhe hap i rëndësishëm i ecjes së qytetërimit në gjithë tokën. /Albeu.com/