Lajmet e fundit

Shefi i ‘Termokos’-it e fton Shpend Ahmetin në takim, por me kushte

Kryeshefi Ekzekutiv i Ngrohtores së kryeqytetit “Termokos”, Naser Canolli, i ka bërë një ftesë publike Kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për ta vizituar këtë ndërmarrje, por me disa kushte.

Pas dy përpjekjeve të Ahmetit për ta takuar atë që e quan “drejtor të dhunshëm” të kësaj ndërmarrjeje, Canolli i dërgoi një ftesë përmes KALLXO.com.

“Përveç ftesës së parë për takim, Kryeshefi Canolli e fton kryetarin Ahmeti për një takim zyrtar, nesër në orën 14.30 në ambientet e NP “Termokos”, por jo të shoqëruar nga persona të paautorizuar”, tha për KALLXO.com, Afërdita Uka Fejzullahu zëdhënëse në “Termokos”.

Të mërkurën Kryetari Ahmeti kishte shkuar në Termokos por nuk kishte mundur ta takojë Kryeshefin e ri të cilin ai e konsideron politik.

Canolli është emëruar në këtë pozitë nga një bord i ndërmarrjes të kontrolluar nga LDK dhe PDK, dy partitë që si opozitë në komunë përbëjnë shumicën e këshilltarëve komunalë.

Por ftesa e Canollit për kryetarin e komunës duket se do të shkojë huq.

Erzen Vraniqi nga Zyra për Informim në komunë, tha për KALLXO.com se kryetari i Prishtinës gjendet në një vizitë zyrtare në Paris.

“Edhe sikur të ishte këtu nuk do të shkonte në takim. Naser Canolli është zgjedhur jashtëligjshëm në atë pozitë”, tha Vraniqi.

Komuna pretendon se kur është votuar Canolli në këtë pozitë, kjo është bërë vetëm nga dy anëtarë të Bordit të ndërmarrjes.

“Zgjedhja e tij nga Bordi vetëm me dy anëtarë nuk është e ligjshme. Duhen tre anëtarë”, tha Vraniqi.

Përpjekjen e fundit për ta takuar Canollin, kryetari i Prishtinës e kishte bërë dje.

“Sot isha prapë në Termokos për ta takuar nënkryetarin e Lirakut (Lirak Çelaj shef i Asamblistëve të PDK-së në Komunën e Prishtinës) që po pretendon që është drejtor i Termokosit. Edhe sot nuk erdhi, dhe pastaj thotë se gjoja ka qenë në vizita. Problemet me ngrohje kanë filluar si duket me urdhëra por Prishtina nuk do ta tolerojë. Së bashku me qytetarë do te dalim në mbrojtje të shërbimeve tona.” Tha Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Por Vraniqi thotë se përpjekja e Ahmetit për ta takuar Canollin nuk ka pasur për qëllim që ta urojë atë për pozitën e re.

“Kryetari Ahmeti ka dashur që të shkojë në zyrën e tij dhe t’i thotë se ai është i zgjedhur paligjshëm në atë pozitë”, tha Erzen Vraniqi.

Sa i përket akuzave të Ahmetit se me ardhjen e Canollit kanë filluar të shfaqen problemet në ngrohtore për çka edhe qytetarët kanë pasur disa ndërprerje të ngrohjes Uka Fejzullahu dha një përgjigje.
“Ne vazhdimisht e kemi potencuar se NP “Termokos” posedon një rrjet të stërvjetëruar të ngrohjes në qytet, që megjithë angazhimin për ndërrimin e gypave të vjetër me gypa të rinj të paraizoluar, një pjesë e konsiderueshme e rrjetit është që nga vitet e ’70-ta. Andaj, është e kuptueshme që një rrjet i tillë ka shkaktuar probleme të kohëpaskohshme përgjatë sezonit ngrohës, të cilat teknikisht është vështirë të parashikohen me saktësi”, u shpreh zëdhënësja Uka.

Sipas saj çështja e kësaj ndërprerje të përkohshme tanimë ka përfunduar.

“Këtyre ditëve ka pasur një ulje të temperaturave të energjisë ngrohëse për shkak të testimeve finale të Projektit të kogjenerimit, që janë kryer në Termocentralin Kosova B. Këto testime kanë rezultuar me sukses të plotë dhe tani e tutje do të ketë furnizim stabil me energji ngrohëse.”tha ajo.

Sipas Ukës, synim i Termokosit është që të sigurohet ngrohje e mjaftueshme dhe cilësore për gjithë konsumatorët përgjatë sezonit të ngrohjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published.