Kryesuesja e shkarkuar e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Shefkije Islamaj thotë se nuk ka dëmtuar interesin publik kur ka vendosur që me votën e saj ta shkarkojë rektorin e Universitetit, Ramadan Zejnullahu.
Në një intervistë për KallxoLive me Faik Ispahiun, Islamaj foli për votën e saj si dhe për shkarkimin që iu bë një dit ëmë pas nga Ministri i Arsimit, Shencës dhe teknologjisë, Arsim Bajrami.
“Asnjë shkelje ligjore as me këtë rast të shkarkimit të Rektorit Zejnullahu nuk është bërë prandaj shkresa e Ministrit mund të them se është e pasaktë dhe dezinformuese”, u shpreh Shefkije Islamaj.
Ajo ka thënë se e gjithë ajo që ndodhi pas shkarkimit të rektorit është “presion mbi universitetin, ndërsa kritikat e saj filluan që nga reagimi i Presidentes Atifete Jahjaga.
“Është një presion mbi Universitetin kur i lë të gjitha punët e rëndësishme Presidentja dhe reagon pa e ditë dhe thotë ka se Rektori i ka nisë reformat. Por si si i nisë Rektori reformat, ku janë ato reformat? Ai po përpiqet të ndryshojë rregullore që nuk janë detyrë e tij, këto nuk janë reforma”, tha ajo.
Kur u pyet për kërkesën e Ministrit Bajrami që Ramadan Zejnullahu të rikthehet në detyrën e rektorit, Islamaj rikujtoi polemikën e dy javëve më parë ndërmjet tyre.
“Sa e dëgjova unë ai po e lut të kthehet, por a kemi amnezi si popull si njerëz që përcjellim e shohim lajme që jemi të lidhur në mënyra të ndryshme me Universitetin me Ministrinë. Ju e keni lexuar dhe e keni dëgjuar korrespondencën në mes të Ministrit dhe Rektorit. Rektori e sulmon dhe e akuzon rëndë për korrupsion për grupe klanore, për shumëçka që duhej prokuroria të merrej”, tha ajo.