Hetimet ndaj ish-imamit të Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqit, i cili vitin e kaluar ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës, ende nuk kanë pushuar.
Krasniqi vazhdon të jetë nën hetime dhe shpejt mund të përballen me aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, raporton Gazeta Express.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi ka thënë për Gazetën Express se hetimet për Krasniqin janë duke vazhduar, pasi ende nuk janë ekzaminuar të gjitha dokumentet që ndërlidhen më të.
“Lënda është në hetime në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi që ende nuk është bërë ekzaminimi i gjithë dokumentacionit, kompjuterëve, CD-ve, etj., të gjetura tek i pandehuri Shefqet Krasniqi”.
“Pas grumbullimit të të gjitha provave, gjegjësisht pas përfundimit të hetimeve prokurori i çështjes vlerëson se a ka prova të mjaftueshme, të cilat paraqesin dyshim të bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer vepër penale apo jo dhe pastaj do të vendosë për ngritje ose jo të aktakuzës”, ka thënë Kozmaqi.
Në anën tjetër Avokati mbrojtës i Krasniqit, Bajram Tmava ka thënë shkurt për Gazetën Express se nuk kanë marrë asgjë nga Prokuroria, dhe se klienti i tij është i pafajshëm.
Ndryshe, tashmë janë bërë një vit që kur Policia e Kosovës pati arrestuar dy herë radhazi Imamin Shefqet Krasniqin, me pretendimin se e kanë cenuar rendin kushtetues, përmes nxitjes së urrejtjes ndërfetare dhe ekstremizmit islam.
Në arrestimin e parë ai u la i lirë pasi u mor në pyetje nga prokuroria. Ndërsa herën e dytë atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditës. Më pas atij iu caktua masa e arrestit shtëpiak.
Aksioni i Policisë së Kosovës i cili u përcoll me një varg bastisjesh në disa objekte të ndryshme në disa lokacione në Republikën e Kosovës, rezultoi edhe me të arrestuar tjerë, si të dyshuar për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarje ose mosdurim kombëtar, racor, fetar apo etnik”.