Mediat serbe të martën publikuan një lajm, ku thuhej se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj i kishte dhënë 100 mijë euro ish-liderit të Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq.
Ky lajm bëri që të reagojë vet Haradinaj, i cili përmes një komunikate për media, akuzoi kryeministrin Isa Mustafa, se po mundohet që të diskreditojë figurën e tij.
“Ky lajm i rremë është gatuar nga klani Mustafa dhe partnerët e tij serbë dhe për qëllim ka njollosjen time, pikërisht tani kur iu kam zbuluar gënjeshtrat për punët e pista të tyre në dëm të Kosovës”, deklaroi Haradinaj.
Por njohësi i politikave serbe, Fatmir Sheholli, njëherësh këshilltar i kryetarit të Komunës së Graçanicës, Vladeta Kostiq, thotë se ky lajm, në fakt është produkt i shërbimeve sekrete serbe.
“Unë besoj se të gjithë e kanë të qartë se mbrapa këtij shkrimi skandaloz dhe tendencioz, nuk ka kush të qëndrojë tjetër përveç shërbimit sekret serb. Kjo ka për qëllim që në partitë politike shqiptare edhe në lidershipin shqiptar të fut një huti dhe çështjet të cilat janë jashtëzakonisht të rënda edhe në aspektin moral”.
“Ajo që unë e kisha këshilluar z.Haradinaj, është ta padis gazetën e cila ka publikuar këtë lajm”, thotë Sheholli.
Duke folur për Aleksandar Jabllanoviq, Sheholli thotë se ai nuk habitet se vet Jabllanoviq ka mundur ta plasojë një informatë të tillë për të diskredituar Haradinajn.
“Kurse sa i përket Jabllanoviqit, ai dje në gazetën Blic ka deklaruar që është kriminel dhe nuk besoj se duhet ta bëjmë një krahasim të një krimineli të tillë, i cili vet në deklaratën e tij thotë se po e citoj ‘unë jam kriminel më i vogël se ata që po tentojnë që në këtë formë të më diskreditojnë’. Ai vet e pranon që është kriminel”.
“Një paralele e tillë se z.Haradinaj ia ka dhënë 100 mijë euro atij është produkt i kuzhinës së propagandës së shërbimit sekret të Serbisë dhe të aleatëve të saj”.
“Nuk do të habitesha fare që vet Jabllanoviq e ka plasuar këtë lajm me qëllim që të diskreditojë një figurë politike siç është Ramush Haradinaj”.
Sipas Shehollit, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj duhet ta dijë se një lajm i tillë nuk është produkt i ndonjë partie politike shqiptare, ndonëse ai nuk përjashton mundësinë që ndonjë individ, qoftë ai shqiptar apo serb, për shkak të parave ka mundur të plasojë një lajm të tillë.
“Ajo që unë besoj që z.Haradinaj që duhet ta kuptojë dhe e kupton është që mbrapa këtij lajmi është e paimagjinueshme që të qëndrojë ndonjë parti politike shqiptare apo ndonjë organizatë politike shqiptare. Kurse sa i përket individëve, qofshin shqiptarë apo serbë, ata për çështje që kanë të bëjnë me shërbimet sekrete serbe, është e mundshme sepse çdo gjë për para mund ta bëjnë. Por jam shumë i bindur se kjo çështje nuk ka të bëjë me partitë politike shqiptare por është kryekëput pjellë e Serbisë”, thotë Sheholli.