Shoqata e Endokrinologëve në sheshin “Nënë Tereza” ka vendosur 3 ekipe të mjekëve të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve të dëshirojnë të kuptojnë nivelin e sheqerit në gjak.
Iniciativa e shoqatës së Endokrinologëve për të matur sheqerin të qytetarët përmes ekipeve mjekësore të vendosura në shesh, po pritet mjaft mirë. Shumë qytetarë i janë drejtuar tendave për të kuptuar nivelin e sheqerit në gjak. Ata thonë se kjo iniciativë është e mirëseardhur pasi që procedura është shumë e lehtë dhe falas.
“Po më pëlqen kjo mënyrë se është pa pare, në spital po duhet me prit edhe s’po ka gjilpëra e unë kam qenë 5 herë edhe jam kthy, këta për të mirën”, thekson një qytetar i anketuar.
“Kam dëgjuar se që nga mosha 30 vjeçare mund të paraqitet diabeti, prandaj edhe erdha këtu ta mas edhe të shoh nëse kam ndonjë dispozitë”, tha tjetri.
“Po m’vjen mirë për këtë aksion dhe me të vërtet është një përgëzim për qytetarët, se nuk kanë pas njohuri. Qe unë për veti as që e kam dit që e kam 8.7 është pak i lartë por besoj se tash do ta kem vetën në kontroll”, tha qytetari tjetër.
Ndryshe, Dr Fidan Berisha tha se kësaj radhe interesimi i qytetarëve është mjaft i madh por që është pikëlluese se disa nga ta nuk kanë bërë asnjë herë analiza apo asnjëherë nuk e kanë matur klikimin.
“Interesimi është shumë i madh, deri tash mbi b50 vetë vetëm në tendën tonë e kanë mat sheqerin. Realisht sot kemi pa vlera të ndryshme’, theksoi ai.
Aktualisht janë 371 milion njerëz në botë që jetojnë me diabet dhe 280 milion të tjerë në rrezik të lartë nga zhvillimi i diabetit. Të ushqyerit e shëndetshëm dhe marrja me aktivitet fizik mund të parandalojnë deri në 80 % diabetin e tipit 2. Mjekët rekomandojnë që ushqimet të jenë me përmbajtje të ulët në yndyrë, të ulin peshën, të ecin.