Njohësi i Integrimeve Evropiane, Shenoll Muharremi në një deklaratë të dhënë për Gazetën Blic, i ka komentuar konkluzionet e Këshillit të BE-së, ku Kosovës i jepet rekomandim negativ sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Sipas tij, fajet për këtë dështim i ka Kosova e jo Bashkimi Evropian siç, e akuzoj sot Hashim Thaçi.
“Reagimi i z. Thaçi ka qenë i keqkalkuluar politikisht dhe mund të jetë i rrezikshëm, me pasoja, për Kosovën”, ka thënë Muharremi për Gazetën Blic.
Ai ka thënë se institucionet duhet të punojnë që t’i plotësojnë kriteret e jo ta kërkojnë “fajtorin” për këtë dështim.
Kjo është deklarata e plotë e Muharremit dhënë për Gazetën Blic:
Po lexoj që diskursi dhe fokusi rreth konkluzioneve të Këshillit të BE-së është se ‘kush i ka fajet’, apo si në rastin e reagimit të Qeverisë si të dislokohet faji në një ‘qendër tjetër’. Sigurisht që fajin e kemi ne, por ky konkludim nuk do na sjellë shumë dobi në këtë moment. Reagimi i z. Thaçi ka qenë i keqkalkuluar politikisht dhe mund të jetë i rrezikshëm, me pasoja, për Kosovën.
Ne këtë moment jo të mirë për ne, duhet të sillemi me dinjitet dhe të mbajmë fokusin te ajo se çka duhet bërë në mënyrë që sa më parë të zbatojmë kushtet përfundimtare të mbetura që raporti për liberalizim do t’i zbuloj gjatë javës.
Ne kemi për detyrë të gjejmë rrugën më të shkurtër që të lirojmë qytetarin dhe bizneset kosovare nga ky izolim. Është në interes edhe të Kosovës edhe të BE-së që ky proces të konkludohet, të përfundoj sa më parë. Si ka kuptim p.sh. një MSA kur biznispersonat kosovarë nuk mund të udhëtojnë në BE? Izolimi nuk ka sens geopolitik, andaj fokusi duhet të mbahet tek zbatimi i kushteve të mbetura.
Nëse ky është rasti, Kosova do të mund gjatë tremujorit të 2016 të zbatoj kushtet e mbetura përfundimtare dhe pjesën e dytë të 2016 të lirohet nga vizat. Pra, nëse hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën ndodhë në qershor (nëse ishte rekomanduar tani në dhjetor) apo tetor (nëse rekomandohet në mars/prill) pak ka rëndësi, me rëndësi është që ajo të ndodhe gjatë 2016-ës.
Andaj, nuk është në interesin tonë të vajtojmë e biem në depression që këtë javë nuk është rekomanduar liberalizimi i vizave, tani në dhjetor. Dihet mirë që fajin e kemi ne. Gjetja dhe identifikimi i fajtorëve bëhet për konsum të brendshëm politik. Ne duhet të fokusohemi si ta zgjidhim këtë problem që e kemi, për hirë të qytetarëve dhe bizneseve tona.
Sot gjithashtu kishte lajme ëe mira nga konkluzionet e ministrave të BE-së. U tha që do të vazhdohet me marrëveshjen kornizë për qasjen e Kosovës në rreth 23 Programe të BE-së. Kjo është me rëndësi për shkak se shumë grupacione dhe sektorë do mund të përfitojnë. Procesi i Integrimeve është një proces i gjatë dhe i mërzitshëm që kërkon shumë punë, maturi dhe durim, në rastin e Kosovës. Gjërat e mira ndodhin megjithatë. Kosova do perfitoj nga liberalizimi i vizave si të perfundohen kushtet e mbetura – kjo pra është shumë me rëndësi.