Bilall Sherifi nga NISMA për Kosovë ka reaguar për lajmin se as këtë vit nuk do të ketë rekomandim për liberalizimin e vizave.
Më poshtë është postimi i plotë i Sherifit:
Pas marrjes së lajmit se as këtë vit nuk do të ketë rekomandim për liberalizimin e vizave, kryeministri Isa Mustafa dhe sidomos zëvendësi i tij Hashim Thaçi, nga mbledhja e qeverisë, në drejtim të vendimmarrësve në Bashkimin Evropian i dërguan disa fjalë bukur të mëdha.
Isa tha, se “ne mundemi të jetojmë edhe pa liberalizim, vërtet më keq, ama mundemi të jetojmë edhe kështu”.Po pra, sigurisht që mundemi, kryeministër a jemi luan apo nuk jemi!?
Ndërsa zëvendësi i tij Hashimi, shkoi pak përtej tij dhe e “kërcënoi” Evropën me protesta gjithë popullore para zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, që i bie, para zyrës së Samuel Zhbogar e cila gjendet përballë parlamentit dhe qeverisë së Kosovës. Dhe, për të mos e frikësuar Zhbogarin, në fund, fare në fund të fjalës së tij, nuk harroi të thotë, “natyrisht protestë paqësore”
Dhe, kaq mjaftoi që aktorë të ndryshëm të skenës publike, të frikësuar që këta dy, Isa dhe Hashimi, për shkak të çështjes së vizave, tani do të na prishin krejt me aleatët evropianë, duke i marrë më seriozisht se që ata e marrin veten, vrapuan dhe i gjykuan si të pamatura dhe emocionale reagimet e këtyre dyve.
Por unë, duke u bazuar në të kaluarën, po mendoj se krejt kjo është një teatër. Sepse, tanimë e tëra na vjen si një Deja vu. Brukseli merr vendime, qeveritarët tanë bëjnë reagime, sigurisht të ashpra.
Por, ata në Bruksel e dinë se kaq duhet t’u lejohet qeveritarëve të Kosovës. Diçka, për konsum të brendshëm duhet thënë edhe këta. Bile, besoj fort, që i tërë ky teatër, është i akorduar mes palëve në “konflikt”
Në stilin, ne nuk ua liberalizojmë vizat, ju bëni reagime të ashpra. Dhe, në fund të dy palët ndahen të kënaqura.
E qytetarëve të Kosovës nuk u mbetet gjë tjetër, pos, përballë “rrezikut” që qeveria të na prishë krejt me Evropën të harrojnë liberalizimin e vizave edhe për këtë vit.