Sekretari i NISMA-së, Bilall Sherifi, përmes një postimi në Facebook ka thënë se qeveritarët e Kosovës në bisedimet me Serbinë u treguan shumë dorëlirë sa që nuk shqetësoheshin fare se sa të dëmshme ishin ato, raporton Indeksonline.
Sipas tij, qeveritarët gjatë bisedimeve u treguan “Good Guys” (burra të mirë), dhe mendonin se BE nuk i shikonte proceset e tjera që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Lexoni postimin e plotë të Bilall Sherifit në Facebook:
KONCESIONET NDAJ SERBISË NUK NUND TË JENË ZËVENDËSIM PËR SHTETIN LIGJOR.
“Në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimi Evropian, nga institucionet e Kosovës, në veçanti nga qeveria, është kërkuar që të punojnë në dy rrafshe. Në njërin rrafsh është kërkuar të zhvillohen bisedime me Serbinë, ndërsa në rrafshin tjetër ato të zakonshmet, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Qeveritarët e Kosovës në procesin e bisedimeve me Serbinë u treguan shumë të dëgjueshëm, shumë dorëlirë, bile aq dorëlirë sa që fare nuk shqetësoheshin se sa të dëmshme dhe të pa pranueshme mund të jenë marrëveshjet mbi të cilat ata i vinin pa hezituar nënshkrimet e tyre. Këta qeveritarë mendonin se duke bërë koncesione në procesin e bisedimeve me Serbinë, duke u treguar “Good Guys” atëherë Bashkimi Evropian nuk do ta shikonte shumë procesin tjetër, e cila ka të bëjë me forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Qeveritarët e Kosovës, jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë në fushën e forcimit të shtetit ligjor, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit por kanë vazhduar politikën e tyre të kapjes së shtetit, kanë vazhduar dhe e kanë thelluar edhe më shumë kapjen e tij.
Pra, në këto dy procese të ndara, qeveria e Kosovës pati dy standarde të ndryshme.
Të dëgjueshëm deri në përulje në procesin e bisedimeve me Serbinë, të padëgjueshëm deri në mospërfillje të Bashkimit Evropian në rrafshin e forcimit të shtetit ligjor.
Duke vepruar në këtë mënyrë, pra duke qenë të zellshëm në bërjen e koncesioneve në kurriz të Kosovës në procesin e bisedimeve me Serbinë, këta qeveritarë shpresonin se Bashkimi Evropian do t’ua vlerësojë këtë “sakrificë” dhe nuk do të ndalet shumë në rrafshin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Por, si duket këto llogari të qeveritarëve po dalin të gabuara, sepse qasja e tyre ishte e gabaur. Duke menduar se koncesionet ndaj Serbisë do të mund të shiheshin nga Bashkimi Evropian si zëvendësim për punët e pakryera në rrafshin e forcimit të shtetit ligjor dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit.
Prandaj, konsideroj se vetëm duke e bërë Kosovën vërtetë shtet të së drejtës, duke e zhvilluar atë ekonomikisht, duke e bërë të dinjitetshme në raport me fqinjët e më gjerë, vetëm atëherë, liberalizimi i vizave dhe procesi i integrimit në Bashkimin Evropian do të jetë i shpejtë dhe i drejtë.
Logjika për të dhënë nga substanca e Kosovës në bisedimet me Serbinë, për hirë të integrimeve evropiane, u dëshmua si e gabuar, prandaj menjëherë duhet të marrë fund.
As sot dhe as nesër, koncesionet nuk mund të jenë zëvendësim për shtetin e së drejtës”, shkruan ai