Qeveria e Maqedonisë ka miratuar vendimin për liberalizimin e kufirit me Kosovën, mëson ekskluzivisht portali ShkupiExpress.
Pas nënshkrimit nga dy ministritë përkatëse dhe ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes, qytetarët e dy shteteve mund të kalojnë së shpejti kufirin vetëm me letërnjoftime.
Një hap i rëndësishëm ky i integrimit të rajonit dhe para së gjithash i shqiptarëve të Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë dhe Luginës së Preshevës,
Burime të larta qeveritare të ShkupiExpress informojnë se marrëveshja është nënshkruar pas shumë debateve mes dy partnerëve të koalicionit, të cilat janë mbajtur larg nga vëmendja e medieve.
Mësohet se VMRO-DPMNE ka “rezistuar” fillimisht ndaj kërkesës së Bashkimit Demokratik për Integrim për të miratuar vendimin dhe finalizuar procedurat e nisura, por më pas është detyruar të dorëzohet përpara presioneve të forta.
Jozyrtarisht mësohet se BDI ka kërcënuar VMRO-DPMNE-në me bllokim të punës së Qeverisë dhe mosvotimin e drafteve ligjore në Kuvend, nëse vendimi nuk miratohet dhe marrëveshja me Kosovën dështon. Në këto kushte, partia e kryeministrit Nikola Gruevski nuk ka pasur zgjidhje tjetër, marrë parasysh se partia e Ahmetit është kyçe për stabilitetin politik të vendit.
Ndërkohë, burime partiake deklarojnë se integrimi i shqiptarëve të rajonit ka qenë prej vitesh vizion i kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, për të cilin ai ka biseduar në të gjitha takimet me zyrtarë të lartë të Shqipërisë e Kosovës.
Mësohet se vetë Ahmeti është angazhuar për të zhbllokuar marrëveshjen dhe për t’i çelur rrugë miratimit nga Qeveria dhe ratifikimit në Kuvend.
Nga ana tjetër, burime qeveritare nga Kosova informojnë për ShkupiExpress se janë njohur me vendimin e Shkupit zyrtar dhe se kanë filluar që tani përgatitjet për nënshkrimin e marrëveshjes.
Nga çfarë është mësuar deri tani, marrëveshja për kalimin me letërnjoftime do të nënshkruhet nga zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës Hashim Thaçi.