Dy shoqatat më të mëdha që merren me trajtimin e personave me nevoja të veçanta, për vite tëra funksionojnë në objekte me qera dhe pa hapësirë të mjaftueshme. Down Syndrome Kosova dhe Shoqata e Autizmit që nga marsi i vitit të kaluar i kanë në arkë rreth 200 mijë euro, për ndërtimin e një objekti ku do të vendoseshin këto dy shoqata.Pavarësisht mjeteve, këtyre dy shoqatave ende nuk u është caktuar një parcelë nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e objektit.
Shoqatat kanë identifikuar një parcelë të përshtatshme për ta, e cila gjendet afër stacionit të autobusëve, mirëpo edhe pse është bërë ky identifikim , Komuna e Prishtinës ende nuk ka dhënë një përgjigje të prerë nëse kjo parcelë do të ndahet për këto dy komunitete.
Zvarritja e caktimit të një parcele të përshtatshme për ndërtimin e një objekti për udhëheqësit e këtyre shoqatave shihet në këndvështrime të ndryshme.
Drejtori i shoqatës së autizmit, Cen Krasniqi ka thënë për KosovaPress se parcela e identifikuar sipas komunës është e destinuar për qëllime të tjera.
Krasniqi gjithashtu shtoi se zgjatja e kësaj procedure shihet mundësi për humbjen e besimit të donatorëve dhe për këtë opsion mbeten komunat e tjera.
Sipas tij, nëse vendoset që kjo qendër të ndërtohet në ndonjë komë tjetër, njëri ndër opsionet është Komuna e Lipjanit.
Drejtoresha e shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Beqiri ka treguar për KosovaPress se bisedimet me Komunën e Prishtinës, janë ende duke vazhduar. Ajo shtoi se gjatë tërë kohës kanë pasur përkrahje nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, por sipas saj nuk varet gjithçka nga ai.
Beqiri nga Down Syndrome Kosova dhe Krasniqi nga shoqata e Autizmit thanë se përkundër zvarritjes së kësaj çështje, përkrahjen më të madhe e kanë marrë nga grupi i grave asambleiste të Kuvendit Komunal të Prishtinës, të cilat sipas tyre këtë çështje si problem e kanë paraqitur edhe në kuvendin komunal.
Në lidhje me këtë çështje nga Komuna e Prishtinës thonë se zvarritja ka ndodhur edhe për arsye se ka mungesë të tokave që janë në pronësi të komunës.
Sipas drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies, në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia, parcela e cila është identifikuar nga dy shoqatat nuk është ndarë ende për arsye se në lidhje më këtë parcelë ekzistojnë disa konteste.
Vitia deklaroi se kjo çështje është duke u proceduardhe ato procedura nuk mund të shkelen pavarësisht rëndësisë së çështjes.
Ndërsa në lidhje me mundësin që kjo qendër të ndërtohet në ndonjë komunë tjetër, Vitia tha për KosovaPress se ekziston e drejta e zgjedhjes, mirëpo sipas tij, kjo qendër duhet të ndërtohet në Prishtinë për shaka se ka fluks më të madh të qytetarëve dhe mundësia e qasjes është më e lehtë se në qytetet e tjera të Kosovës.