Më 4 dhe 5 nëntor, duke përfaqësuar Shoqatën e Bankave të Kosovës, Drejtori Ekzekutiv Petrit Balija, po merr pjesë në takimin e dytë rajonal për Evropë dhe Azi Qëndrore të organizuar nga Banka Qëndrore Evropiane (BQE), në bashkëpunim me ‘Child & Youth Finance International’ i cili mbahet këtë vit në Frankfurt të Gjermanisë. Temë kryesore e këtij takimi është edukimi financiar i qytetarëve, me fokus të veçantë në edukimin financiar të fëmijëve dhe rinisë në Evropë dhe Azi Qëndrore.
Përpos rritjes së vetëdijesimit të qytetarëve dhe fëmijëve rreth fushës së financave, qëllimet e takimit po ashtu janë që të theksohet rëndësia e lidershipit të fortë në nivel rajonal, të definohet strategjia për përfshirjen e fëmijëve dhe rinisë në fushën e financave dhe të ju mundësoi fëmijëve dhe të rinjëve të ndajnë rekomandimet e tyre me vendimmarrësit kryesore në fushën e financave.
Në këtë takim po marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë shtetëror nga Ministritë e Arsimit, Financave, Bankave Qendrore, përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, dhe shumë zyrtarë tjerë.
Kjo konferencë do të shërbejë në të mirë të Kosovës pasi që Shoqata e Bankave të Kosovës është proklamuese e madhe e edukimit financiar përmes Revistës së ShBK-së e titulluar ‘The Kosovo Banker’, dhe trajnimeve që organizohen në kuadër të ShBK-së e që shërben për ngritjen e vetëdijesimit të qytetarëve rreth shërbimeve financiare në Kosovë, si dhe trajnimit të kuadros për përfshirje në fushën e financave.
Në këtë ngjarje të rëndësishme po marrin pjesë personalitete të rëndësishme nga rajoni dhe bota përfshirë edhe Guvernatorin e Shqipërisë Fullani, Guvernatorin e Maqedonisë Bogov, Guvernatori i Malit të Zi, Dakic si dhe Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi.