Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve Xhenier të Shqipërisë, Aleksandër Mihali, përmes një letre drejtuar krerëve më të lartë të institucioneve të Kosovës ka kërkuar që deputetët e opozitës të lirohen sa parë nga arresti dhe akuzat.
Në letër theksohet se opozitarët e arrestuar nuk janë të shitur, madje sipas ushtarakëve, ata janë patriotët që mbrojnë interesin e kombit. “Ata nuk janë as tradhtarët, as të shiturit tek armiqtë e shqiptarëve, por janë patriotët dhe mbrojtësit e palëkundur të interesave, idealeve, historisë dhe aktualitet kombëtar shqiptar. Vetëdija se shqiptarët vijojnë të jenë të ndarë në pesë shtete na bën të jemi tepër të shqetësuar për të ardhmen e Kosovës. Dje u dha dhe vendimi i Gjykatës suaj Kushtetuese prej të cilit çdo qeveri e përgjegjshme do të gjente hapësirë për të dalë nga kjo skemë mbytëse për të ardhmen e Kosovës dhe kombit”, thuhet mes të tjerash në letrën e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve Xhenier të Shqipërisë.
Letra e plotë:
LETËR PROTESTE E KRYESISË SË SHOQATËS KOMBËTARE TË USHTARAKËVE XHENIER TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DREJTUAR INSTITUCIONEVE DREJTUESE DHE PËRGJEGJËSE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Presidentes së Republikës znj. Atifete Jahga, Kryetarit të Parlamentit z.Kadri Veseli, Kryeprokurorit të Republikës së Kosovës z. Aleksandër Lumnezi, Kryeministrit të Republikës së Kosovës z.Isa Mustafa, Zv/Kryeministrit të Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi
Për dijeni: Avokatit të Popullit z. Hilmi Jashari ,
Të nderuar,
Keni vepruar e po veproni gabim me opozitën. Albin Kurti është deputeti më i çmuar i Kosovës dhe i kombit shqiptar. Ai me gjithë kolegët e Opozitës e mbështetësit e tij janë rilindësit e të vërtetë të shqiptarëve të shekullit XXI. Ai dhe të tjerët duhen liruar sa parë nga arresti e akuzat. Ata nuk janë as tradhtarët, as të shiturit tek armiqtë e shqiptarëve por janë patriotët dhe mbrojtësit e palëkundur të interesave, idealeve, historisë dhe aktualitet kombëtar shqiptar. Vetëdija se shqiptarët vijojnë të jenë të ndarë në 5 shtete na bën të jemi tepër të shqetësuar për të ardhmen e Kosovës. I gjithë opinioni shqiptar ju ka ndjekur për gjithë këto vite. Shumë kanë besuar në rrugën tuaj. Por rezultatet na shtrëngojnë t’ju bëjmë me dije se: Dialogu i ashtuquajtur për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë i nisur prej vitit fundit 2010, i konkretizuar si “dialog teknik” në 2011, e i përshkallëzuar në “dialog të nivelit politik” në 2012 u vërtetua ndërkombëtarisht që po dëmton Kosovën dhe po i jep përparësi padrejtësisht Serbisë. Dje u dha dhe vendimi i Gjykatës suaj Kushtetuese prej të cilit çdo Qeveri e përgjegjshme do të gjente hapësirë për të dalë nga kjo skemë mbytëse për të ardhmen e Kosovës dhe kombit.
Përballë këtij dëmi të madh ku shumë prej jush kanë qenë aktorë direkt po qëndrojnë opozitarët në Kosovë. Ju ata po i burgosni dhe përndiqni në gjyqe politike. Ne ju bëjmë thirrje që t’i ndërprisni sa më parë gjyqet që burojnë nga urdhrat personal e politikë me anë të të cilëve keni burgosur, atdhetarët bashkëkohorë, më konsekuentët e projektit kombëtar shqiptarë, projekt i cili është jetik për ekzistencën e Kosovës dhe mbrojtjen e shqiptarëve në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Ndërprisni pra gjyqet farsë, gjyqet që vetëm kërkesave të Serbisë së pasardhësve të Millosheviçit, armiqve dhe përçarjes së shqiptarëve të Kosovës e kombit iu shërbejnë dhe aspak forcimit të unitetit të popullit dhe shtetit të Kosovës.
Drejtues të institucioneve të Republikës së Kosovës, shashka tymuese e hedhur në Parlament nuk përbën krim për burgosjen e deputetëve. Shashka tymuese nuk përmban element të krimit. E për rrjedhojë nuk mund të përbëj shkak për dhunimin e shtëpisë dhe burgosjen e Albin Kurtit dhe kolegëve të Opozitës. E, akoma më keq dhunimin, bastisjen dhe shkatërrimin e zyrave të “Lëvizjes Vetëvendosje“. Kalimi i pragut të shtëpive dhe selisë së një Lëvizje politike iu bën përgjegjës ligjërisht, politikisht në raport jo vetëm me rregullat e Kosovës së pavarur por dhe të të gjithë hapësirës shqiptare.
Urdhrat tuaj kanë qenë dhe janë, të padrejtë dhe të jashtëligjshëm lidhur me veprimet, qëndrimet, mjetet e përdorura dhe dhunimet e bëra ndaj Deputetëve dhe qytetarëve shqiptarë të Kosovës.
Përdorimi në Parlament i shashkave tymuese që ju qëllimisht i emërtoni bomba tymuese, për të përligjur veprimet tuaja ndaj opozitës si “veprime kriminale” nuk mund të na mashtrojnë më asnjë shqiptar e sidomos Ne ushtarakët. As ligjet në Kosovë e as Konventat Ndërkombëtare nuk i klasifikojnë veprimet e opozitës si “vepra kriminale”.
Shashkat tymuese të përdorura në Parlament nuk janë bomba, pasi bombë emërtohen vetëm predhat që hedhin avionët, e të cilat sjellin pasoja në eliminimin e jetës, por ato janë shashka, janë mjete veprimtari-ndërprerëse ose ndaluese të aktiviteteve. Pra nuk janë bomba, si po doni ju t’i cilësoni qëllimisht. E si rrjedhojë, hedhja e tyre nuk përbën krim, pasi do të përbënte krim edhe për Forcat e Policisë që i përdorin ndaj qytetarëve protestues kur tejkalojnë rregullat e zhvillimit të protestave. Ne po ju ndjekim dhe si profesionistë vëmë re se ju po ashpërsoni gjuhën sa i takon kualifikimit të mjeteve duke tentuar të shkoni drejt kualifikimit “rrezikim i jetës” në mënyrë që t’i hapni rrugë dënimit afatgjatë të patriotëve si Albin Kurti e kolegëve të tij.
Problemi është politik e aspak i lidhur me “armëmbajtje” apo “përdorim të armës”. Prandaj në këtë rast fajtor nuk është Deputeti që hodhi shashkën në Parlament, por Kryetari i Parlamentit i cili pas hedhjes së shashkës në ditën e parë, u kap pas pasojave e jo pas shkakut që solli pasojat, gjë që po e vijon ta bëjë dhe Kryeministri edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku u vërtetua se ka shkelur rëndë Kushtetutën.
Për ne është tashmë e qartë se ai dhe Qeveria janë shkaku i pasojave. Ndaj jeni të detyruar të gjeni rrugën e zgjidhjes. Jo në favor të posteve tuaja por në favor të popullit të Kosovës. Jo duke vazhduar rrugën e njëjtë me Serbinë por duke krijuar unitetin përbrenda Kosovës për të gjetur rrugëdalje nga ky kurth.
Ne ju kemi parë. Ju jeni duke na dëshmuar indiferencë, fodullëk dhe nënvleftësim të zërit të Opozitës. Këto sollën dhe përsëritjen e shashkave tymuese. Ne dhe plot shqiptarë të tjerë padyshim që jemi sot shumë herë më të përkushtuar për të ndihmuar në ndalimin përfundimtar të këtyre marrëveshjeve, kjo si pasojë e veprimeve të Opozitës. Mbetet e pakuptueshme se si drejtuesit politikë të Kosovës kanë shumë më shumë durim e mirëkuptim për personazhe politikë që kanë shënuar tragjedi në të gjithë Ballkanin se sa për kërkesat e Opozitës e patriotëve të dëshmuar si Albin Kurti. Na shtrëngoni t’ua rikujtojmë se Kosova është pika më nevralgjike për zgjidhjen përfundimtare të çështjes tonë kombëtare. Këtë mos e harroni kurrë.
DREJTUES DHE PËRGJEGJËS TË INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS
Situata e rëndë e krijuar në Kosovë ne Ushtarakëve të Shqipërisë, na kanë prekur jashtë mase.
Gjithashtu jemi mjaft të indinjuar edhe nga qëndrimet dhe veprimet e ditëve të fundit në Kosovë, nga Parlamenti, Qeveria dhe Forcat e Policisë. Qëndrime dhe veprime, absurde, e jashtë mase regresive. Jashtë arsyes normale të qëndrimit e veprimit mes shqiptarëve e sidomos midis shqiptarëve të Kosovës. Veprime e qëndrime që ulin jashtë mase reputacionin dhe figurën e shqiptarëve në tërësi në Ballkan e në botë. Kurrë ne nuk e kemi menduar se tek ju do të mund të mendohej e përdorej ajo dhunë, e se do të ngrihej ajo dorë, shkop e armë kundër tjetrit opozitar por shqiptarë e që vetëm mbi armikun mund të ngrihet. Gjithmonë kemi besuar se midis jush do të mbizotëronte ndoshta edhe prej vuajtjeve që keni kaluar nën Serbi,vetëm harmonia e uniteti, mbështetja tek njëri-tjetri, e bashkëpunimi në të mirë të Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan. Ky besim për këto vite pas 1999 është lëkundur e përfundimisht është thyer këto ditët e fundit.
E kemi të qartë të gjithë tanimë se Opozita dhe mbështetësit e tyre kanë të drejtë. Ata nuk po duan të copëtohet Kosova as nuk duan të jepni territor. Por po ju kërkojnë mbrojtjen e Kosovës dhe mbrojtjen e territorit. Anulimin pra të marrëveshjeve të dyshimta që përmbajnë akte copëtimi dhe rrëmbimi të trojeve të Kosovës, që janë në fjalë të fundit të të gjithë kombit shqiptar. Urdhrat dhe veprimet tuaja, por sidomos të Ministrit të Brendshëm dhe Kryeprokurorit të Republikës së Kosovës janë totalisht të gabuara dhe nuk i shërbejnë aspak rendit dhe unitetit të popullit të Kosovës. Urdhrat dhe veprimet absurde të forcave të policisë, për të arrestuar, dhunuar, shkatërruar e për të rrëmbyer ç’të mundin, pajisje apo materiale të aktivitetit, në godinën e subjektit politik, Vetëvendosjes, si dhe dhuna e ushtruar mbi drejtuesit, anëtarët dhe mbështetësit e Opozitës në ditën më të shënuar të historisë të kombit shqiptar, më 28 Nëntor 2015 është e paprecedentë dhe nuk iu falet. Ne presim që sa më parë të merren përgjegjësitë për urdhërdhënësin politik dhe për zbatuesit e këtij urdhri. Ngjarjet e 28 nëntorit në Prishtinë janë akti më antikombëtar që ka ngjarë në shtete të qeverisuara nga shqiptarët. Veprime të tilla ne i njohim. Por i kemi parë e provuar nga sistemet fashiste. Ju nga Millosheviçi e të gjithë ne nga nazistët gjatë luftës nacional-çlirimtare në vitet 1939-44. Ata të rrihnin e torturonin mizorisht. I burgosnin e pushkatonin të rinjtë e të rejat patriotë që kërkonin lirinë e popullit, lirinë e Atdheut. Ju nga pozita ku jeni vendosur nuk po e dalloni që të njëjtën gjë, po ju kërkon edhe ju Albin Kurti dhe kolegët nga Opozita. Ju me këto veprime të nxituara jeni duke vënë në jetë tezën se “armiqtë e shqiptarëve janë vetë shqiptarët” dhe jo Serbia e cila ende sot me të njëjtat metoda të vjetra po tenton të marrë sërish territor, edhe në shekullin e XXI në kushtet e prezencës së NATO-s e BE-së. Pra, ju pa u thelluar, keni goditur rëndë idealet e brezave për mbrojtjen dhe bashkimin e gjithë shqiptarëve. Ideale për të cilat kanë dhënë jetën me dhjetëra mijëra patriotë shqiptarë. Ju po vijoni ta bëni këtë me këmbëngulësi.
Të nderuar ligjvënës e ligjzbatues,
Nuk gjejmë sot një vend anëtarë të Bashkimit Evropian madje dhe shumicës së atyre anëtare të NATO-s që të lejojë 5-6% e popullatës me kombësi të ndryshme nga shumica të krijojë mekanizma autonom njëentik që hapin rrugën e shkëputjes. Madje edhe për raste si Skocia apo si Katalonia që janë shumë më shumë në të drejtën e tyre nuk hapet rrugë që të shkëputen. A e dalloni se projekti që po u propozohet është shumë i rëndë për t’u mbajtur nga Kosova? Historia jonë e re njeh protektorë e kujdestarë ndërkombëtarë. Ndarje të dhunshme të kufijve. Taktizime politike rajonale e ndërkombëtare. Po t’i kishim dëgjuar përulësisht siç ju drejtuesit e Kosovës po bëni sot, me gjasë as Republikë të Shqipërisë nuk do të kishte. Nuk numërohen llojet e kërkesave, përpjekjet, kongreset, rezolutat, traktatet që kanë ardhur në tryezat e shqiptarëve. Më e fundit në Shqipëri ishte kërkesa për hapësirën detare, problem i cili u neutralizua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në favor të studimit të ushtarakëve shqiptarë, por ende nuk ka përfunduar plotësisht. Prapë do të kërkohet nga Shqipëria të japë territor. Prapë ne nuk do ta lejojmë. Shteti e kombi është seria e betejave jo seria e privilegjeve. Nuk mbahet dot shteti pa sakrificë. Sakrificat nuk mbarojnë me luftën çlirimtare. Përkundrazi, forcimi i shtetit dhe mbrojtja e tij është sakrifica permanente. Ne ushtarakët për shkak të profesionit e dimë më së miri këtë. Prandaj ne jemi me qëndrimet e idetë e Albin Kurtit që po mbanin nën arrest dhe kolegëve të tij nga Opozita. Ne kemi qenë shumë shpesh në këto kondita. Përvoja na tregon e dëshmon që Opozita ka të drejtë. Nuk ka arsye të vijoni më tej. Reflektoni, protesta e opozitës dhe vendimi i Gjykatës tuaj Kushtetuese jua ka dhënë rastin të tërhiqeni. Duke përfunduar letrën tonë, zonja e zotërinj, drejtues të shtetit të Kosovës deshëm t’iu shfaqim disa sugjerime për tejkalimin e situatës së rëndë për Kosovën dhe kombin në përgjithësi:
1- Të lirohen nga arresti dhe akuzat sa më parë Albin Kurti dhe gjithë Deputetët, aktivistët dhe mbështetësit e Opozitës që mbahen akoma nëpër burgje e arreste shtëpiake.
2- Të anullohen marrëveshjet si ajo me Malin e Zi për dhënien e mbi 8000 ha territor të Kosovës ku përfshihen dhe pikat e larta strategjike ushtarake, ashtu edhe ajo me Serbinë për “Zajednicën” dhe autonominë e territoreve ku banojnë serbët. Nëse jo nëpërmjet jush apo në pamundësi nga ju nëpërmjet referendumit popullor, mjetit më legjitim.
3- Në mos pranimin e këtyre kushteve, të dorëhiqet Qeveria dhe të krijohet një Qeveri me të gjithë përfaqësuesit e forcave politike e cila do qëndrojë deri në zgjedhje. Kushti kryesor i kësaj Qeverie të jetë marrja e vendimit për anullimin e marrëveshjeve me Malin e Zi dhe Serbinë.
Me respekt për gjithë sakrificat e popullit shqiptar të Kosovës,
Kryetari Shoqatës së Ushtarakëve Xhenier të Shqipërisë
Aleksandër Mihali
Tiranë, 24 dhjetori 2015