Tre profesorë të Universitetit të Prishtinës kanë marrë çmimin “Shkencëtar i Vitit” çmime këto që u ndanë nga Ministria e Arsimit.
Avdulla Alija, Avni Berisha dhe Halil Ibrahimi janë tre profesorët që sot u nderuan me këtë çmim, i cili tash e sa vjet ndahet nga MASHT-i.
Përveç tre profesorëve, edhe tre bashkëpunëtorë të UP-së u nderuan me çmimin “Shkencëtari i Ri i vitit”. Armond Daci, Pranvera Ibrahimi dhe Valmir Krasniqi janë nderuar me këtë çmim, të cilin ua ka dorëzuar ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.
Kreu i këtij institucioni Arsim Bajrami, deklaroi se në Kosovë po bëhet pak për shkencën dhe shkencëtarët e rinj.
Ministri Bajrami, tha se edhe pse nëpër universitetet e Kosovës ka njerëz me kapacitete të larta , shkenca nuk gjen përkrahjen e duhur nga institucionet.
Bajrami : Po bëhet pak për shkencën
“Ne po bëjmë pak për shkencë, ne duhet të bëjmë shumë më shumë për shkencë, duhet t`i stimulo jmë shkencëtarët që ata të punojnë qoftë për eventet standarde ndërkombëtare të shkencës, por sidomos në përfshirjen e Kosovës në shkencën ndërkombëtare, sepse sot Bashkimi Evropian ka krijuar fonde shumë të mëdha për shkencëtarët evropianë, por duhet edhe Kosova që të jetë pjesë, sepse është projekt i madh 20 me 20 , një dritare e madhe që ne të bëhemi pjesë e kësaj hapësire shkencore dhe të konkurrojmë për projekte” , tha ministri Bajrami.
Ministri Bajrami, gjatë ndarjes së çmimeve theksoi nevojën që ka shkenca për të bërë punë e hulumtime ekipore dhe jo individuale si dhe krijimin e institute, të cilat më pastaj do të bëheshin promotore të hulumtimeve kërkimore dhe shkencore duke botuar kështu më shumë revista dhe të kemi qasje në revista ndërkombëtare.
Bajrami: Puna në shkencë të jetë ekipore dhe jo individuale
“Do të d onim që puna kërkimore-shkencore të mos jetë vetëm kreativitet individual, por një punë ekipore , të ringjallim institutet tona kërkimore pranë çdo universiteti, të themelojmë institute edhe pranë fakulteteve dhe këto institute të bëhen promotore të hulumtimit kërkimor dhe shkencor. Të fillojmë të botojmë sa më shumë revista. Të kemi akces sa më shumë në revista ndërkombëtare, të zbulojmë talent në moshë të re dhe talentet në moshë të re të kenë mbështetje nga Qeveria e Kosovës,sepse provoja e pengon talentin në qoftë se nuk mbështete, kështu që ne jemi një shtet i ri që kemi popullsi të re”, tha Bajrami.
Ministri i Arsimit tha se Kosova ka nevojë për investime të reja në shkencë dhe t’i bëjnë ato në përmasa rajonale në qoftë se jo ndërkombëtare duke premtuar se nga viti i ardhshëm do t`i rrisin fondet në këtë lëmi.
Bajrami: Do t`i rrisim fondet vitin e ardhshëm
“Kemi nevojë për investime të reja në shkencë dhe të i bëjmë me përmasa së paku rajonale nëse jo evropiane dhe këta shkencëtarë gjithmonë të i mbështesim,sepse kapacitetet shkencore të universiteteve tona, nuk janë krejt çështje të zbuluara, nuk janë krejtësisht të mbështetura dhe jam i sigurt se nga viti i ardhshëm ne do të rrisim fondet për shkencë”, tha Bajrami.
Këtë çmim, tashmë tradicional, MAShT ua ndanë shkencëtarëve, të cilët gjatë periudhës njëvjeçare, me punën e tyre kërkimore-shkencore kanë arritur rezultate të larta.
Kandidatët e përcaktuar në pikën e parë, janë përfitues të çmimit prej 2000 euro , ndërsa ata të pikës së dytë do të marrin një çmim të volitshëm prej 1500 euro.