Lajmet e fundit

Shpend Ahmetit nuk po i ecë ekonomia

Dy ekonomistët në krye të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu, nuk kanë arritur që të menaxhojnë siç duhet me financat e komunës.  Në nëntë muajt e parë të këtij viti, ata kanë dështuar që të arkëtojnë të hyrat e planifikuara në buxhet dhe në anën tjetër nuk kanë shpenzuar as gjysmën e mjeteve që kishin për investime kapitale.

Gazeta Fjala ka siguruar Raportin Buxhetor të kësaj komune, sipas të cilës, nga gjithsej 27 milionë euro të hyra të planifikuara, komuna e vetme në vend që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje ka arritur që të mbledhë vetëm rreth 13 milionë euro, që përkthyer në përqindje është 47%.

Për më tepër, kjo përqindje e arkëtimit të të hyrave komunale është edhe më e vogël krahasuar me periudhën e njejtë të vitit paraprak, kur komuna kishte arritur që të mbledhë 58 përqind të të hyrave të planifikuara.

Dështimet më të mëdha të komunës në mbledhjen e të hyrave janë shënuar me legalizimet e ndërtimeve pa leje me vetëm 0.21% të të hyrave, në të hyrat nga inspeksioni me 11%, në participim apo donacione me 11%, si dhe nga shpronësimet me 12.84%, thuhet në raport.

Në anën tjetër, “realizimi i të hyrave është i kënaqshëm, sa i përket licencave për biznes, në përqindje është me e larta 89.08%, taksë për shërbime shëndetësore 82.99%, taksë për transaksion në pronë 82.36%, taksë për automjete motorike 73.47% dhe taksë për certifikata dhe dokumente zyrtare 72.75%”.

Pas qeverisje të Lidhjes Demokratike të Kosovës në kryeqytet, në zgjedhjet lokale të vitit 2013, Lëvizja Vetëvendosje arriti që të fitojë në ballotazh ndaj tani Kryeministrit Isa Mustafa, që për dy mandate kishte udhëhequr me Prishtinën.

Atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje shfaqej mjaft kritike ndaj performancës së LDK-së në Prishtinë, duke kritikuar për menaxhim të dobët të parasë publike dhe mosefikasitet.

Por tani edhe pse nuk është arritur mbledhja as e gjysmës së të hyrave të planifikuara, Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti duket të jetë ndarë i kënaqur me këtë arritje.

“Kryetari i Komunës vlerëson se arkëtimet aktuale, si dhe ato të planifikuara për pjesën e fundit të vitit 2015, janë të mjaftueshme për të financuar ndarjet buxhetore të përcaktuara sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore,” thuhet në fund të këtij raporti.

Anashkalohen investimet kapitale

Komuna ka dështuar po ashtu të shpenzojë edhe buxhetin e planifikuar për këtë vit, duke krijuar një suficit prej gati 50 për qind.

“Komuna e Prishtinës ka shpenzuar gjithsej 51.04% të buxhetit të miratuar për vitin 2015, përfshirë edhe mjetet e bartura nga viti 2014”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, shpenzimt investime kapitale arrijnë vlerën e  12 milionë euro nga 40 milionë sa i kishte në dispozicion komuna.

Investimet kapitale për 2015 të planifikuara 24 milionë e 268 mijë euro, të bartura nga viti 2014 investime kapitale mbi 14 milionë, gjithsejte buxheti për shpenzime kapitale në 2015, ishin 39 milionë e 82 mijë euro. Nga këto janë shpenzuar 12 milionë e 266 mijë euro, ose 31. 39 për qind.

Përvec që nuk ka arritur të mbledhe të gjtiha të hyrat, komunës do t’i duhet t’i ndajë 3,697,826 euro për lëndët gjyqësore që ndodhën në procedurën përmbaruese.

Në ndërkohë, Qeverina e Kosovë ka filluar përgatitjen e Ligjit për Kryeqytetin e Kosovës.  Nga një ligj i tillë pritet që të përfitojë Prishtina në aspektin buxhetor dhe rregullim të kompetencave. /Gazeta Fjala/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.