Futbolli në këtë javë do ketë një ndryshim mjaft të rëndësishëm, bëhet fjalë për “kartonin e gjelbër”, i cili do të bëhet kartoni i tretë që referi do e përdorë në fushën e lojës.
Përderisa kartoni i verdhë dhe i kuq, ndëshkojnë lojtarët për sjelljet e tyre të këqija, kartoni i gjelbër do të jepet për shpërblyer futbollistët për sjellje të mirë.
“La Stampa” raporton se në këtë javë liga e dytë në futbollin italian, Serie B, do të fillojë në përdorimin e “kartonit të gjelbër” që do të shpërblejë futbollistët për sjellje të mirë.
Në momentin që gjyqtari jep një karton të gjelbër, nuk do të ketë si shpërblim ndonjë goditje dënimi ose diçka të tillë, por gjyqtarët do të mbajnë shënime për lojtarët që kanë sjellje më të mirë në fushë.
Pas përfundimit të sezonit do të përpilohet një listë me lojtarët më të sjellshëm, por çfarë do të përfitojnë lojtarët nga kjo ende nuk është bërë e ditur.
Ky ndryshim ka ardhur si projekt nga UEFA, për të promovuar një futboll më të ndershëm, në mënyrë që të ketë sa më pak lojtarë që bëjnë veprime të pahijshme, si simulime, që në sezonet e fundit janë shtuar shumë në ligat më të forta.