Nga Beqë Cufaj
Ndoshta është lehtë i kuptueshëm frustrimi dhe me këtë edhe konstatimi se as “kjo opozitë” kështu si është- me vetëm temat e “Asociacionit” dhe “Demarkacionit” nuk mund të përkrahet sepse… është si puna e, me gjuhën e popullit: “Ali Hoxhës” dhe “Hoxhë Alisë”. Bën t’i themi edhe si një medalje me të dy anët- të cilat kanë të njejtat figurantë veç me fytyra ndryshe e qëllime të njejta. Por pyetja që shtrohet është kjo: ku, ku të merret dhe të del ai krahu i tretë- ajo alternativa e cila të të dy krahëve do t’ua këpuste ëndërrat për pushtet dhe duart për korrupsion. Them që shqiptarët e Kosovës- dhe jo vetëm por të krejt Ballkanit në dy shtetet e tyre, s’e kanë as eksperiencën e as gadishmërinë të hyjnë shtigjeve të reja. Prandaj edhe janë kështu si janë. Keq. S’ka ku shkon më keq.
Sepse: shqiptarët kurrë s’kanë qenë më mirë. Dhe: shqiptarët kurrë s’kanë qenë më keq. Sepse: për herë të parë në historinë e tyre të re, janë të lirë. Dhe: s’po munden, s’po dijnë, s’po duan ta kapin hapin me pjesën e civilizimit oksidental për shtet të së drejtës dhe politikë me frymë shërbimi e interesa të qarta nacionale e patriotike.
Detyra e pakëndshme dhe deregja e përkrahjes së çdo opozite sa herë që një pozitë është në pushtet duhet të jetë një çmendi e llojit të vet. Por e vetmja e mundshme. Veç këtu e kështu mund të përmbushet sado pak ai rol iluminist, ajo detyrë prej të pavaruri që naivsht beson për një të ardhme më të mirë sesa kjo që është sot dhe me siguri nuk ka nisur qysh sot por qysh nga Baraka e Kullës së Fildishtë e “Maximus Primus”-it kur Jakupi u jepte kafe e Bujari e Isa s’çonin pare prej Gjermanie. Nga ai 3 përqindëshi i LDK-së e Fondi i tjetër i LPK-së/UÇK-së, sot në liri shqiptarët kanë në pushtet politikanët që kanë rritur përqindjet në fjalë nga 50 deri në 100 përqind në çdo gjë që është publike (sidomos para).
Prandaj: që kemi ardhur në fazën e revoltës popullore të shprehur të shtunën jo veç për hatër të Albinit, Ramushit e Fatmirit dhe inati të Hashimit e Isës, është edhe ky amalgim i njerëzve që po shohin “gjithkënd” që ka bërë “pasuri” me para publike.
Çdo gjë përtej kësaj teme është një make-up politik të cilin edhe nëse duan të na e shesin si sukses të tyre (opozita) e kanë huqur fare. E do ta huqin edhe më shumë nëse mendojnë që populli do t’i dëgjojë. Jo. Opozita duhet të zbresë edhe më poshtë, deri në katakombat shpirtërore të njeriut të atij vendi, ta hulumtojë dhe analizojë e mëpas reflektojë: pse ka ardhur koha të ngjajë ndryshimi në këtë vend. Tash për tash që të tre janë larg këtij hapi vendimtar: Albini, Ramushi e Fatmiri.
Prandaj edhe po ndjehen kaq të sigurtë Isa e Hashimi.
Askënd nuk e çuditën të hënën kur nga disa herë në ditë dhe sidomos në mbrëmje përmes tam-tamave të tyre në eter lëshonin floskula edhe për fajësinë e “dhunës” edhe për kandidimin për “President” duke dëshmuar kështu “unitet” në përmbushjen e “marrëveshjes”. Thuajse janë respektuar shumë marrëveshje në këtë vend.
Të dy janë thellësisht të pasigurtë. Duke e ditur që s’kanë kohë por edhe duke e parë që opozita po forcohet sidomos në krah të pakënaqësisë masive tek popullësia me situatën e padurueshme që kanë krijuar: me Qeverinë më të madhe në Evropë dhe tenderomaninë më të pështirë që shoqen ia gjen veç në Afrikë- Isa dhe sidomos Hashimi e kanë të qartë që çdo gjë mund të rrotullojë dhe rrëshqasë brenda disa orësh. Pak me ndihmën e opozitës, pak me ndihmën e “ndonjë” rasti të çuditshëm dhe sidomos me heshtjen këmbëngulëse të ndërkombëtarëve të cilët më s’duan të përzihen në çështjet procedurale të zgjedhjeve institucionale. Të dy e dijnë pokështu dhe e kanë provuar në lëkurën e tyre se prapa heshtjes në këto hapa- sidomos amerikanët, janë tepër të ftohtë në llogaritë e tyre politike në koloninë e tyre Kosovën. Dhe prapa tyre janë edhe gjermanët e britanikët- gjithmonë bashkë kur ky vend është në pyetje.
Tam-Tamët e Isës e Hashimit u kryen të hënën në orët e vona të mbrëmjes. Dhe nga e marta fillon etapa e re në garën për karrigën e Hashimit në njërën anë dhe rrëzimin nga karriga të Isës e Hashimit- ndaras a bashkë… në anën tjetër. Ndeshje do ketë. Dikush do mbijetojë e dikush do të shkojë. Do të jenë vetëm qytetarët e Kosovës ata që do të mbeten të patundur në synimin e tyre: për jetë më të mirë dhe një fije shprese për të ardhme si krejt Europa.