Të hyrat vetjake, në buxhetin e komunave, mbeten në nivel të ulët. Komunat të cilat participojnë më shumë në buxhetin komunal, sa i përket të hyrave vetjake nga 20 deri në 40 për qind janë Komuna e Prishtinës dhe Fushë Kosovës, e deri në 4.0 për qind në Komunën e Novobërdës.
Këto të hyra duhet të pësojnë rritje, me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Kështu u tha në konferencën “ Analizat e të hyrave vetjake në Komunat e Republikës së Kosovës”, organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe mbështetur nga Programi i USAID-it “Avancojmë Kosovën së Bashku”, ku u paraqit një pasqyrë e trendit të të hyrave vetjake të komunave të Kosovës, për periudhën 2010-2014.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, tha se fuqizimi i të hyrave vetjake është thelbësor për funksionimin e qeverisjes lokale.
Komunat sipas tij duhet të ndryshojnë qasje lidhur me të hyrat, që do të duhet të investohen, në ofrimin e shërbimeve infrastrukturore për taksapaguesit. Ai tha se mbledhja e të gjitha taksave dhe të hyrave tjera vetjake, do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të një komune.
“ Duke qenë se komunat pjesën më të madhe të nevojave të tyre buxhetore, i plotësojnë nga grandi i Qeverisë, ka indikacione që kjo gjë është duke ndikuar në mënyrë negative, në rritjen e nivelit të grumbullimit të të hyrave vetjake. Është evidente që në shumicën e komunave të Kosovës, ka përmirësime në krahasim me vitet e kaluara, sa i përket të hyrave vetjake. Mirëpo duhet përmirësuar investimet”, tha Mariq.
Ndërsa Randall Olson, zyrtar për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, tha se ka progres, por se ka dhe shumë mangësi. Sipas tij Qeveria e Kosovës ka ligje të forta, por problemi është tek zbatimi.
“Qëllimi i të hyrave vetanake, është mbledhja e financave, që t’i lejohet komunave, që të jenë të pavarura dhe të kenë mundësi ta ndërtojnë buxhetin e tyre, në mënyrë të përgjegjshme dhe të zbatojnë projekte për qytetarët. Sot mund të themi se kemi mundësinë që të shohim progresin e përpjekjeve tona. Mendoj se kemi bërë një progres domethënës, mirëpo ende ka mangësi dhe ende duhet bërë shumë punë në këtë aspekt. Ne tani po punojmë me MAPL dhe MF për ti realizuar nismat tona”, tha Olson.
E Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm në MAPL tha se mbetet shqetësuese, përqindja e ulët e të hyrave vetjake të komunave.
“ A po ndikon fakti që mbi 95 për qind të funksioneve lokale, financohen nga Qeveria qendrore. Liderët dhe menaxherët lokalë, të ndihen më komod dhe të mos vendosin si prioritet në agjendën e tyre, që të forcojnë dhe rrisin të hyrat lokale dhe mos po kalojmë gradualisht që të hyrat lokale t’i trajtojmë si një agjendë politike, apo si një agjendë zgjedhore, se sa një potencial për të rritur kapacitetin ekonomik të komunave…Rritja e të hyrave lokale në nivel komunal për më pak se gjysmë për qind brenda pesë viteve, me një rritje minimum prej 3 deri në 3.5 për qind të bruto produktit vendor në nivel të Kosovës duhet të përbëjë shqetësim”, tha Osmani.
Ndërkaq Agron Demi, drejtor në Institutin e për Studime të Avancuara (GAP), tha se problem mbetet varësia e madhe nga të hyrat doganore.
“Problemi më i madh jo vetëm i komunave por dhe i nivelit qendror, është varësia shumë e madhe nga të hyrat doganore. Derisa ta kemi këtë varësi të madhe nga të hyrat doganore, ne nuk do të arrijmë të kem të hyra të brendshme as në nivel qend ror, as nëpër komuna me qëllim që këto të hyra të gjenerohen nga zhvillimi ekonomik dhe jo nga deficiti i lartë tregtar që aktualisht e kemi. E dyta se pse komunat kanë të] hyra kaq të ulëta në përgjithësi, është zhvillimi i ulet ekonomik”, tha ai.
Ndryshe, sipas raportit, ku pasqyrohen të hyrat vetjake në Komunat e Kosovës, pjesëmarrja e të hyrave vetjake të komunave, në të hyrat e përgjithshme të buxhetit të Republikës së Kosovës, në pesë vitet e fundit, është mesatarisht rreth 4.02 për qind.