Lajmet e fundit

Shqipëri: Reshje të dendura shiu dhe dëbore

Siç ishte parashikuar nga meteorologët, e gjithë Shqipëria është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe dëbore në orët e para të ditës së mërkurë. Reshjet vazhdojnë me intensitet në zonat e ulta dhe bregdet, ndërkohë që në lartësitë mbi 800 metra bien në formën e dëborës.

Autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët që të bëjnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet, sidomos gjatë orëve të pasdites, kur pritet shtim i reshjeve.

Në rrethin e Lezhës, një ndër më problematikët sa u përket përmbytjeve ndër vite, është mbledhur Shtabi i Emergjencave.

Përfaqësuesit e këtij shtabi flasin për reshje me intensitet të madh në orët e mëngjesit që kanë shtuar praninë e ujit në sipërfaqe, por situata deri më tani raportohet pa probleme madhore.

Ndërkohë, në Bulqizë raportohet dalja nga shtrati i Përroit Zalli i Thatë, ujërat e të cilit kanë bllokuar dy fshatra në Fushë-Bulqizë.

Reshjet e ditëve të fundit kanë nisur të japin efektet e para në kaskadën e Drinit. Autoritetet njoftojnë se ka një rritje të lehtë të nivelit në Hidrocentralin e Fierzës si pasojë e shtimit të prurjeve të lumit.

Pak ditë më parë, KESH njoftoi ndërprerjen e prodhimit të energjisë në këtë HEC si pasojë e rënies së nivelit të ujit në pikën kritike./ Tch

Leave a Reply

Your email address will not be published.