Derisa bllokada parlamentare dhe institucionale po vazhdon, shtete perëndimore tashmë janë duke planifikuar hapat që mund të dërgojnë sinjale të qarta për qëndrimin e tyre krahas zhvillimeve politike në Kosovë.
Burimet e mirëinformuara të lajmi.net pohojnë se shtetet e Quintit, që nënkuptojnë SHBA-të, Francën, Gjermaninë, Britaninë dhe Italinë kanë vendosur që të marrin masa të ashpra të përbashkëta ndaj individëve që konsiderohen si sabotues të procesit të integrimeve evropiane, sidomos implementimit të marrëveshjes së Brukselit për themelimin e Asociacionit të komunave serbe.
Këto burime diplomatike pohojnë se në rast se ndodh eskalimi i dhunës në janar prej opozitës, tashmë është përgatitur edhe hapi drastik i futjes në listë të zezë të refuzimit të lëshimit të vizave Shengen dhe vizave amerikane e britanike për disa nga aktorët kryesorë opozitarë.
Sipas këtyre burimeve, tashmë ka marrëveshje në Quint që të merren masa të bllokimit të udhëtimit për shtetet Shengen dhe SHBA për Albin Kurtin, Ramush Haradinaj, Dardan Molliqajn, Fatmir Limajn, Jakup Krasniqin, Pal Lekajn dhe disa nga deputetët e akuzuar nga gjykatat lokale për hedhje të gazit lotsjellës, si protagonistë të përdorimit të dhunës kundër marrëveshjes së Brukselit dhe demarkacionit me Malin e Zi.
Përndryshe, në listën e zezë të SHBA-ve, tash e 15 vite janë disa nga liderët e UÇK-së të cilët që në vitin 2001 janë vlerësuar të implikuar në ngjarjet në Maqedoni. Deri më tani në këtë listë që njihet si “Lista e zezë” e presidentit Bush gjenden mbi 10 anëtarë, kryesisht të PDK-së, por edhe strukturave të TMK-së, që janë shpallur te padëshiruar për hyrje në SHBA. /Lajmi.net