42 të mitur që ndodhen në Qendrën Korrektuese në Lipjan, nuk kanë filluar këtë gjysmë vjetor të mësimit. Ata do të duhej të fillonin procesin normal të mësimit njësoj sikur të gjithë nxënësit e Kosovës me datën 1 shtator. Mirëpo edhe pse gjysmë-vjetori i parë ka përfunduar gati ata nuk kanë mbajtur as edhe një orë të vetme.
Mos-fillimi i procesit mësimor, lidhet me mungesën e numrit të mjaftueshëm të arsimtarëve për organizimin e mësimit në Qendrën Korrektuese.
Sipas Heset Lokut drejtor në Qendrën Korrektues Lipjan, drejtoria komunale e Arsimit i ka njoftuar me pamundësinë e mbulimit me arsimtar shkaku i mos planifikimit të normave mësimore për këta të mitur.
Ndërkohë që më herët aty ishte zhvilluar ky proces pa problem. Gjatë vitit të kaluar në këtë qendër kishin qenë të angazhuar 6 arsimtar, ndërsa në vitet paraprake 2012-2014 kanë qenë të angazhuar 10 arsimtarë.
Heset Loku, ka thënë për Gazetën Fjala se menjëherë, me datën 1 shtatori i kanë njoftuar Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë si dhe Ministrinë e Drejtësisë për këtë çështje.
Ai tregon se pas një muaji, pra me datën 1 tetor, është mbajtur një takim tre palesh, mes zyrtarëve të qendrës korrektues, Masht-it dhe Ministrisë së Drejtësisë në të cilin kishin marrë premtimin se mësimi do të mund të fillonte pas 4 ditësh.
Megjithëse ka kaluar ky afat e Loku thotë se nuk u zgjidh problemi, vetëm se u formua një grup punues me datën 20 tetor.
“Grupi punues ka përcaktuar numrin e normave mësimore të nevojshme dhe nevojën e sigurimit të kuadrit arsimor. Por, përkundër këtyre dhe shumë veprimeve tjera procesi mësimor nuk ka filluar dhe nuk kemi ndonjë propozim konkret se kur do të fillon”, tha Loku.
Në anën tjetër, drejtori i arsimit në komunën e Lipjanit Rasim Hasani tha për Gazetën Fjala se rasti i edukimit të te miturve në qendrën korrektuese në Lipjan, është rast specifik dhe duhet të trajtohet në atë mënyrë.
Sipas tij, komuna e Lipjanit e ka bart barrën e edukimit të këtyre të miturve për vite pa e pasur përkrahjen e MASHT-it.
“Po e përsëris si rast specifik që është duhet të trajtohet edhe në aspektin buxhetor edhe në aspektin ligjor”, tha ai.
Hasani tregon se përkundër kërkesave të kësaj drejtorie MASHT- i, përmes Sekretarit permanent ka formuar një ekip për konstatimin e gjendjes së mos fillimit të mësimit. Për të cilin komision ai thotë nuk e përkrahin formimin e tij.
“Neve na duhet një komision i cili do të propozonte zgjidhje për problemin në fjalë. Ju informoj se në parim me përfaqësues të MASHT-it jemi marr vesh për një komision i cili do të propozonte zgjidhje konkrete”, deklaroi Hasani.
Gazeta Fjala ka kontaktuar edhe Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë mirëpo ende nuk ka marrë asnjë përgjigje rreth kësaj çështjeje.
Reagojnë mbrojtësit e të drejtave të fëmijëve
Koalicioni i organizatave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve KOMF ka reaguar kundër mos fillimit të punës mësimore më këta fëmijë.
Sipas KOMF mos-mbajtja e procesit mësimor për të miturit, është mos zbatim i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe dispozitave të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe Kodit të Drejtësisë për të Mitur.
KOMF konsideron se për asnjë arsye, qoftë ajo financiare apo organizative, procesi arsimor për të miturit në qendrën korrektuese nuk duhet të ndërpritet.
”Në këtë mënyrë të miturve po iu mohohet e drejta e tyre themelore për arsim. Për më tepër, mos ofrimi i arsimit rritë stigmatizimin e të miturve duke vështirësuar apo pamundësuar risocializimin dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri”, thuhet në reagimin e tyre.
Këto organizata kërkojnë nga organet përgjegjëse që urgjentisht të marrin masat e nevojshme për zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi, sipas të cilave garantohet arsimimi i të miturve në qendrën korrektuese.
“Është obligim i këtyre organeve që të planifikojnë dhe ofrojnë shërbime efektive, gjithëpërfshirëse, të dizajnuara për t’u ofruar të gjithë fëmijëve të drejtat e barabarta për shkollim, në pajtim me aftësitë dhe nevojat e tyre specifike, si dhe për të avancuar zhvillimin e tyre arsimor dhe social”, thuhet në reagimin e KOMF. /Gazeta Fjala/