Njeriu që mashtroi bizneset me më shumë se gjysmë milioni euro ka 13 vjet që i prinë karvanit të bizneseve nëpër Kosovë.
Agim Shahini, si kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve mbështetet fuqishëm nga institucionet e vendit për përmirësimin e mjedisit afarist në Kosovë, përkundër dosjeve që ka në gjykatë për mashtrim ndaj dy bankave komerciale në Kosovë.
Madje, për të kryeparlamentari Kadri Veseli është përkujdesur që në objektin e Kuvendit të Kosovës t`i ndaj një zyrë, nga ku do të koordinoj aktivitetet e bizneseve që ai përfaqëson, shkruan Gazeta Fjala.
E AKB, që u themelua nga Shahini më 2002 si organizatë joqeveritare, për organizimin e javëve të biznesit tash e disa vite është financuar edhe nga një numër i madh i ministrive të qeverisë së Kosovës.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Bujqësisë dhanë edhe këtë vit mjetet e tyre për përkrahjen e organizimit të aktivitetit të udhëhequr Dr. Agim Shahini.
Shahini vitin e kaluar mori çmimin “Doctor Honoris Causa” për ekonomi dhe diplomaci nga Madhu Krishan, përfaqësues i Akademisë Botërore të Paqes në Nju Jork.
Por këto ministri nuk ishin të gatshme të japin përgjigje për Gazetën se si ato ia besojnë këto mjete nga buxheti i qytetarëve Shahinit i cili akuzohet për mashtrim.
Vetëm Ministria e Bujqësisë e komentoi financimin e organizimit e kësaj ngjarjeje.
Shkelzen Dragaj tha se ministria ka mbështetë edhe shoqata e organizata të tjera, dhe se për është e rëndësishme komuniteti në tërësi.
“Ne i mbështesim si shoqata si organizata të bizneseve dhe jo për individin”, tha Dragaj.
Sipas Dragajt çështje të tjera janë të institucioneve tjera përgjegjëse.
“Ne nuk besojmë se organizimet e një shoqate duhet te mbetet peng i një procesi të caktuar të një individi. Por po ashtu duhet theksuar se ne nuk paragjykojmë asgjë përderisa nuk ka një vendim për një çështje te caktuar”, tha ai.
Agim Shahini nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike të Gazetës.
Shahini me zyra edhe nëpër komuna
Këtë vit manifestimi i Aleancës Kosovare të Bizneseve nisi në Prishtinë, me datën 30 nëntor dhe u shtri edhe në qytetet tjera të Kosovës. Me 2 dhjetor ky aktivitet u mbajt në Mitrovicë, me 4 dhjetor në Prizren ndërsa me 9 dhjetor në Pejë.
Kur u ekspozuan prodhimeve vendore para konsumatorëve në Pejë në kuadër të javës së biznesit, AKB hapi edhe zyrën e saj regjionale në këtë komunë.
Agim Shahini, në fjalimin e tij me këtë rast tha se Dukagjini hapi dyert për prodhuesit vendës dhe falënderoi kryetarin e Pejës për mbështetjen dhe inkurajon atë, por edhe Qeverinë e Kosovës që të vazhdojnë të krijojnë mjedis dhe politika më të favorshme për zhvillim më të hovshëm ekonomik.
“Nga sot bizneset kanë mundësi ku t`i adresojnë hallet e problemet që kanë dhe ato mund ti bëjnë në Zyrën Regjionale të AKB-së në Pejë dhe ku nga aty zgjidhen”, tha ai.
Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, në hapjen e Zyrës së AKB-së në Pejë, tha se vazhdojnë të mbështesin fuqishëm biznesin, sidomos prodhuesit vendës.
“Me hapjen e zyrës, po tregojmë gatishmërinë tonë për mbështetje të vazhdueshme dhe kjo tregon se pos që zhvillohet AKB-ja, zhvillohet edhe biznesi në Dukagjin dhe zhvillimi ekonomik i vendit”, tha Gazmend Muhaxhiri.
Sipas njoftimit për media të AKB-së, ky projekt ka ndikuar pozitivisht në rritjen e vlerave ekonomike dhe mirëqenies sociale në Kosovë duke nxitur zhvillimin e prodhimtarisë vendore dhe zhvillimin e sektorit privat.
“Javët e Biznesit organizohen për 13 vite me radhë në Kosovë që ka qëllim kryesor të promovojë ekonominë, të rrit konsumimin e prodhimeve Kosovare, të stimulojë Bizneset vendore, të përmirësojnë cilësinë e prodhimeve sipas standardeve më të larta dhe të inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të vazhdoj të krijojë ambient të favorshëm për një zhvillim më të hovshëm ekonomik”, thuhej në njoftimin e AKB-së.
Aktiviteti i javës së biznesit sipas njoftimit të AKB-së do të vazhdoj edhe në Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Luginë e Preshevës, Turqi dhe në vendet e BE-së.
“Me datën 17 shkurt 2016 Kremtimi i Pavarësisë se Kosovës do të bëhet me prodhime vendore”, shkruan në këtë njoftim.