Gazeta amerikane ‘The Long War Journal’ e cila botohet nga projekti i Fondacionit për mbrojtjen e demokracive ka botuar një artikull në të cilin thuhet se 150 luftëtarë nga Kosova janë rekrutuar nga grupet e Al Qaedes në Siri.
Një xhihadist nga Kosova, kohët e fundit u shfaq në një video të postuara nga organizata “Shteti Islamik të Irakut dhe të Shamit” një nga dy degët kryesore të Al Qaeda në Siri. Në video ai lavdëron xhihadin duke ftuar dhe inkurajuar të tjerët për të shkuar në Siri në luftën e shenjtë siç e quan ai.
Deklarata e xhihadistit kosovar u publikua vetëm një javë para se të bëhet publik lajmi se më shumë se 1000 evropianë, duke përfshirë 150 nga Kosova, ndodhen brenda në Siri dhe po luftojnë në radhët e forcave xhihadiste.
Xhihadist kosovar, i njohur si Abu Abdullah al kosovari, flet në gjuhën e tij amtare nga qyteti i Azazit në provincën Aleppo në pjesën veriore të Sirisë, transmeton RTK.
Deklarata e tij është vëzhguar dhe përkthyer nga Grupi i Inteligjencës amerikane SITE, e cila e ka futur në listën e saj xhihadistin nga Kosova. ”Gjëja më e pëlqyeshëm në jetë është xhihadi ,” thotë “el Kosovari”, ndërsa u bën thirrje myslimanëve në Evropë dhe në mbarë botën për të lënë jetën luksoze në perëndim, me qëllim për t’iu bashkuar xhihadistëve në llogoret e luftës në Siri.
Organizata “Shteti Islamik të Irakut dhe të Shamit” ka shpërndarë edhe herëve tjera fjalime dhe video nga aksionet terroriste në Kinë, Arabinë Saudite, Tunis, dhe Kazakistan. Kjo organizatë përmes propagandës kërkon të tërheqë rekrutët e mundshme nga një gamë e gjerë e nacionaliteteve, duke përfshirë edhe ato jashtë Lindjes së Mesme. Ky grupi i Al Qaedes ka lëshuar në gjuhën angleze edhe posterë e video të tjerë me tituj të tillë si: ”virtytet e Xhihadit” etj.
Zyrtarët e inteligjencës perëndimore janë duke u shqetësuar gjithnjë e më shumë për faktin e forcimit të radikalizmit të myslimanëve në vendet perëndimore, të cilët po rekrutohen nga al-Qaeda për të luftuar në Siri.
Sipas gazetës gjermane “Der Spiegel” një raport i shërbimit informativ të zbulimit gjerman vlerëson se më shumë se 1000 evropianët besohet se janë tani duke luftuar në Siri në radhët e grupeve xhihadiste.
Në raportin e shërbimit gjerman të zbulimit thuhet se ”Autoritetet e sigurisë vlerësojnë se rreth 1.000 xhihadistë vullnetarë nga e gjithë Evropa janë tani në Siri – në krahasim me vetëm 250 që ishin në fund të vitit 2012”.
Der Spiegel raportoi se ”Rreth 90 dyshohet se vijnë nga Britania, 120 nga Belgjika, 50 nga Danimarka dhe përafërsisht 150 nga Kosova”. Sipas raportit mendohet se në radhët e kryengritësve në Siri janë duke luftuar edhe tetë gjermanë” .
Ndërkaq, në një raport të zbulimit amerikan thuhet se: “al Qaeda ka përvojë për integrimin e luftëtarëve të huaj në hapësirën luftarake (battlespace). Al Qaeda ka përvojë për të bërë rekrutimin e xhihadistëve, pasi të njëjtën e ka bërë edhe Afganistan, Pakistan, Jemen, Irak, Somali, Afrikën e Veriut, Mali etj”. “Al Qaeda bën rekrutimin e të huajve, duke përfshirë edhe xhihadistët që vijnë nga vendet perëndimore, bën trajnimin dhe stërvitjen luftarake të tyre si dhe gjithë organizimet tjera”, tha një zyrtar tjetër i inteligjencës amerikane.
Një tjetër zyrtar i inteligjencës i ka përshkruar xhihadistët perëndimorë si ”forcë shumëfishuese” për Al Qaeden.
Mundësia e tyre për të përdorur pasaportat perëndimore i bën ata mjaft të rrezikshme në qoftë se grup terrorist vendosin për të kryer sulme terroriste në Evropë apo SHBA, thotë ai. Rreziku nga xhihadistët është tejet e madh thonë analistët e inteligjencës. Ata besojnë, se është çështje kohe kur xhihadistët nga vendet perëndimore që po luftojnë në Siri do të instrumentalizohen për të kryer sulme terroriste, të dështuara apo të suksesshme kundër perëndimit. /RTK/