Lajmet e fundit

Si do të veprojë Moska?

Pasi Turqia u kthye në të parin vend të NATO-s që rrëzon një avion rus në më shumë se gjysmë shekulli, pyetja që ngrenë të gjithë është: si do të përgjigjet Moska?

Vladimir Putin e quajti Ankaranë bashkëpunëtore të terroristëve, ndërsa kryediplomati rus Sergei Lavrov anuloi vizitën në Turqi. Si OKB-ja, ashtu edhe NATO-ja i kanë kërkuar palëve të frenohen e të mos e përshkallëzojnë krizën. Turqit thonë se SU-24-ta rus u paralajmërua plot 10 herë për të mos shkelur hapësirën ajrore të vendit, Moska këmbëngul se nuk ka pasur asnjë komunikim të tillë.

Por Ankaraja ka bërë dhe një tjetër pohim, që dëshmon mbase një lloj nxitimi në veprimet e saj: inkursioni zgjati vetëm 17 sekonda. Ekspertët sqarojnë mënyrën e të vepruarit të Turqisë: sipas tyre, kushdo që hyn në hapësirën e 12 miljeve ajrore para hapësirës turke, paralajmërohet. Kur mjeti afrohet me pesë milje, forcat turke përgatiten të ngrenë në ajër gjuajtësit F-16 e japin dhe paralajmërime të tjera. Pas kësaj, kalohet në veprim. Çdo avion që vjen nga Siria e hyn në hapësirën ajrore të Turqisë, goditet e rrëzohet.

Sipas vëzhguesve, nëse Rusia dëshiron ta përshkallëzojë situatën e sigurisë, atëherë do të ketë dhe inkursione të tjera e situata mund të degjenerojë në përplasje jo vetëm mes Moskës e Ankarasë, por edhe mes Rusisë e NATO-s. I gjithë ky acarim vjen në kohën kur sapo kishte nisur të merrte formë një front i përbashkët kundër ISIS-it, ndaj me të gjitha gjasat, mbi të dyja palët në konflikt do të ushtrohet një trysni e madhe diplomatike për të kapërcyer zemërimin e momentit e për t’u përqendruar tek ai që është kërcënimi i përbashkët: militantët islamikë.

E ndërsa konflikti verbal mes Ankarasë dhe Moskës padyshim do të vazhdojë, se sa do t’i vërë vërtet në jetë Rusia kërcënimet për shpagim, kjo ende nuk është e qartë. (TCH)

Leave a Reply

Your email address will not be published.