Si funksionon dhe kush drejton grupin e Shtetit Islamik (ISIS), një organizatë e paarritshme për botën e jashtme që ka marrë përsipër përgjegjësinë e atentateve të fundit në Paris, në Bejrut dhe kundër avionit rus që u rrëzua në Sinain egjiptian?
Kush e drejton Shtetin Islamik?
Shteti Islamik drejtohet nga Abou Bakr al-Baghdadi, që shpalli në qershor të vitit 2014 “kalifatin” në territoret e fituara në Siri dhe në Irak.
Ai luan një rol të madh, por përgjegjësitë e veprimeve ushtarake dhe administrative të “kalifatit” janë ndarë mes përgjegjësve të tjerë, veçanërisht të vendosur në Raqa dhe Mosul, bastione të Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak.
Nga shqetësimi për të funksionuar si një shtet, ISIS-i ka krijuar administratë për drejtimin e shërbimeve.
“Baghdadi duket se është një figurë e planit të parë në procesin e vendimeve”, thekson Aymenn al-Tamimi, studiues në “Middle East Forum”.
“Por mendoj se ekziston një fare autonomie akorduar për çdo shkallë të hierarkisë lokale”, shton ai.
Kush i urdhëron sulmet?
Nuk ka gjithmonë prova të prekshme që zyrtarët e lartë të Shtetit Islamik kanë urdhëruar sulmet e kryera të premten e 13 nëntorit në Paris, edhe pse është Baghdadi që merr vendimet strategjike.
“Ne nuk kemi për momentin asnjë provë që sulmet në Paris janë urdhëruar nga kreu më i lartë i Shtetit Islamik”, konfirmon Tamimi.
“Operacionet janë në mënyrë të dukshme të ekzekutuara nga komandantët nën urdhrat e Baghdadit”, nënvizon nga ana e tij Harleen Gambhir, nga Instituti “For the Study of War”.
Agjentët e lidhur me Shtetin Islamik kanë tentuar të sulmojnë Evropën disa herë këtë vit
Si bëhen rekrutimet?
Shteti Islamik përdor një makinë propagande shumë të zhvilluar për të prodhuar video, foto dhe deklarata përsa i përket aktiviteteve duke përfshirë ekzekutimet brutale të kryera në publik, për ta ndihmuar të tërheqë të rekrutuar.
Por, për një operacion si ai i ndërmarrë në Paris, të kesh agjentë me lidhje në Evropë është një faktor kyç.
”Shteti Islamik ka zgjedhur të përdorë luftëtarët e huaj evropianë për sulmet në Paris, sepse luftëtarët mbajnë lidhje me rrjetet radikale dhe kriminelët në vendet e tyre”, thekson Harleen Gambhir.
“Këto rrjete ndihmojnë në furnizimin me armë dhe logjistikën e nevojshme për zbatimin e një operacioni, si sulmet në Paris”, shton ajo.
Cilat janë burimet e financimit?
Ka shumë burime, sipas ekspertëve. Në territorin që ISIS kontrollon në Irak dhe në Siri, Shteti Islamik praktikon shantazhin dhe vendos taksa për popullsinë lokale. Kësaj i shtohet dhe kontrabanda e naftës dhe sendeve të antikitetit apo ryshfetet për lirimin e pengjeve.
Sipas një hetimi të “Financial Times”, publikuar në muajin tetor, vetëm trafiku i naftës i siguronte Shtetit Islamik 1,5 milionë dollarë në ditë me një çmim mesatar për një fuçi naftë 45 dollarë.
Por, operacionet e jashtme janë të financuara në mënyrë të pavarur, edhe pse ato mund të mbështeten në një financim të organizatës.
“Funksionimi i Shtetit Islamik është ndryshe nga ai i Al-kaedës”, nënvizon Matthew Levitt, ish-zyrtar i Thesarit amerikan në “Washington Institute”.
”Kjo ndodh pasi ai kontrollon një pjesë të madhe të territorit dhe mund të përdorë vendosjen taksave për popullsinë, forma shantazhi dhe çdo lloj aktiviteti kriminal”, shton Lewitt.
Sa kushtojnë sulmet?
Jo shumë, kryesisht në raport me shumat e mëdha të shpenzuara për t’iu përgjigjur apo për t’i penguar.
Kostoja varet nga numri i personave të përfshirë në ekzekutim dhe përgatitje.
“Nuk bëhet fjalë për shuma të mëdha. Këto gjëra kanë kosto të ulët”, thekson Matthew Levitt.
”Operacioni i ndërmarrë në Paris mund të ketë kushtuar 50 000 dollarë (46 900 euro)”, shtoi ai, në funksion të numrit të personave të përfshirë.