Lajmet e fundit

Si po e shkatërron interneti kujtesën njerëzore

Studimi – Kërkoni një përgjigje? Mos kontrolloni menjëherë në Google. Njerëzit që nuk përdorin kujtesën e tyre për të marrë informacion për ato që i dinë, po dëmtojnë kujtesën afatgjatë, thonë studiuesit

Ekziston frika se padurimi po nxit “amnezinë dixhitale”, që do të thotë se ne mbështetemi tek interneti për përgjigje, por e harrojmë lehtësisht informacionin të cilin e morën përmes tij.

Një studim i ri sugjeron se kur gjenden përballë një pyetjeje, mbi një e treta e njerëzve automatikisht e kërkojnë përgjigjen në Google, pa u përpjekur më parë të gjejnë vetë përgjigjet.

Gjithashtu kërkimi paralajmëron se një e katërta e njerëzve e harrojnë menjëherë informacionin që marrin, një proces ky që nënkupton se kujtesa po dëmtohet dhe informacioni i dobishëm po harrohet.

Studimi ndërkombëtar, që përfshiu 6000 pjesëmarrës nga 16 vjeç e lart, u krye nga firma e sigurisë dixhitale, Kaspersky Lab.

Hulumtimi zbulon se rreth 36 për qind e njerëzve thanë se ata kanë kërkuar në Google informacion përpara se të përpiqen të kujtojnë përgjigjet vetë, me një rritje në 40 për qind te njerëzit e moshës 45 vjeç e lart.

Është e mundur që këta përdorues të dyshojnë saktësinë e kujtesës së tyre ose të jenë të paduruar për të marrë përgjigjen e saktë sa më shpejt që të jetë e mundur, thotë raporti.

Ngjashmërisht, 24 për qind pranuan se e harronin përgjigjen online, pasi e kishin përdorur dhe kjo shifër e njerëzve u rrit në 27 për qind me të intervistuarve 45-vjeçarë. Me 12 për qind të pjesëmarrësve që presupozonin se informacioni do të ishte gjithnjë i disponueshëm kur t’u duhej sërish.

Kjo nxitje për qasje sa më të shpejtë të jetë e mundur ndaj informacionit, kombinuar me një paaftësi për të kujtuar më vonë, ka pasoja të thella për kujtesën afatgjatë, sepse një dështim i përdorimit të informacionit që kemi ruajtur në kujtesë mund të bëjë që ta harrojmë.

“Truri ynë duket se e forcon një kujtesë çdo herë që e kujtojmë atë dhe njëkohësisht harron kujtimet e parëndësishme që ne nuk i përdorim”, tha Dr. Maria Uimber nga Shkolla e Psikologjisë në Universitetin e Birminghamit, që u përfshi në raport.

Kërkime të mëparshme kanë treguar se kujtimi i informacionit në mënyrë të vazhdueshme është mënyra më efikase për të krijuar një kujtesë afatgjatë. Sa më rrallë që e përsërisim një informacion aq më pak gjurmë do të lërë ai në mendjen dhe kujtesën tonë.

Kërkuesit, bazuar në studimet e mëparshme, zbuluan se trendi i harrimit të informacionit po vjen edhe për shkak se njerëzit nuk po i japin kujtesës së tyre një shans për t’i ndihmuar, sepse duke e gjetur përgjigjen me mjete të tjera ata nuk e forcojnë atë.

Ky nuk është raporti i parë që sugjeron se Google po na e shkatërron kujtesën.

Në një seri testesh të kryera dy vite më parë, kërkuesit nga Universiteti i Harvardit zbuluan se pjesëmarrësit kishin më tepër gjasa të kujtonin informacionin të cilin ata besonin se e kishin fshirë nga një kompjuter.

Ata që besonin se ishte ruajtur harronin më shpejt, edhe kur iu kërkua ta mbanin mend informacionin. Në një tjetër eksperiment, skuadra u kërkoi studentëve t’u përgjigjen pyetjeve me ose pa Google dhe u kërkoi atyre të vlerësonin inteligjencën e vet.

Ata zbuluan se njerëzit që përdornin internet e shihnin trurin e tyre si më të fuqishëm, krahasuar edhe me ata që i gjetën vetë përgjigjet pa kërkuar në internet.

“Përdorimi i Google u jep njerëzve ndjesinë se interneti është bërë pjesë e mjeteve të tyre konjitive”, dolën në përfundim studiuesit.

Psikologët u shprehën se njerëzit po e trajtojnë internetin si një partner transaktiv të kujtesës njerëzore. Në këtë drejtim, interneti po dëmton depozitën tonë biologjike të informacionit.

Sekreti i kujtimit të gjërave

Një tjetër zbulim i veçuar nga i pari, ka zbuluar një sekret për të mbajtur mend informacionin. Sipas tij, leximi me zë të lartë i të dhënave ndikon në kujtimin e mëvonshëm të tyre.

Zbulimi synon të ndihmojë këdo që mbështetet shumë te kujtesa e tij, që nga nxënësit që bëjnë provime deri te njerëzit që thjesht duan të kujtojnë diçka.

Sipas studiuesve, “aspektet” e shumta të informacionit, si përpjekja për lëvizjen e buzëve, të folurit me dikë tjetër dhe zëri në dhënien e informacionit e bëjnë atë më të memorizueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.