Lajmet e fundit

Sindikata e Arsimit inkurajon pensionistët që të drejtën e tyre ta kërkojnë përmes gjykatës

Sindikatat e Arsimit në Ferizaj, i ka inkurajuar të mërkurën të gjithë pensionistët e arsimit që të drejtën e tyre për tri pagat e fundit suplementare ta kërkojnë përmes gjyqit. Shkas për këtë thirrje u bë rasti i një mësimdhënësi të cilit gjyqi me një vendim ia kishte njohur këtë të drejtë bazuar në marrëveshjen e kontratës kolektive të nënshkruar mes Qeverisë dhe sindikatës.

Kryetari i degës së Sindikatës së Arsimit në Ferizaj, Rexhep Sadiku, gjatë një paraqitje publike u ka bërë thirrje të gjithë mësimdhënësve pensionistë që këtë të drejtë ta ushtrojnë përmes gjykatave. Ai, ka thënë se rasti i këtij mësimdhënësi tregon më së miri se është moment i fundit që të nisë zbatimi i tërësishëm i Kontratës Kolektive.

“Ky rast do të jetë një inkurajim për të gjithë anëtaret e sindikatës që kanë dal në pension që së pari t’i drejtohen Drejtorisë së Arsimit për kompensimin e pagave, e nëse kjo nuk e plotëson këtë kërkesë të kontratës kolektive, atëherë t’u drejtohen gjykatave .Ky rast tregon më së miri se ka ardhur koha që të zbatohet ajo për të cilën janë dakorduar”, ka thënë Sadiku.

Nisur nga kjo, drejtuesit e sindikatës kanë thënë se ka ardhur koha që drejtësia, institucionet qendrore dhe ato lokale t’i realizojnë aktet e tyre të nënshkruara me vullnetin e tyre.

“Ne do të jemi të lirshëm të kërkojmë dhe ta mbrojmë të drejtën tonë, ndërsa nuk duhet kërkuar përkrahja e arsimtarëve dhe pensionistëve vetëm për vota por edhe atëherë kur ata kanë nevoja tjera”, ka thënë Sadiku.

Për më tepër, i pari i kësaj sindikate, Rexhep Sadiku, ka kërkuar edhe njohjen e viteve të përvojës të gjithë atyre mësimdhënësve që kanë punuar para luftës, ndërsa nga institucionet lokale ka kërkuar edhe kompensimin në masën 70 përqind të shpenzimit të udhëtimit të mësimdhënësve.

Ndryshe, nga të gjitha pikat e kontratës kolektive deri më tani është plotësuar vetëm kompensimi i 0.5 përqinshit të përvojës së punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.