Sindikata e Pavarur e RTK-së, në një takim që zhvilloi dje, me Bordin e Drejtorëve të RTK-së, ofroi dëshmi konkrete rreth degradimit që e ka pësuar RTK.
Gjatë këtij takimi, u vërejt një tendencë e hapur e kryetarit të Bordit, Ismet Bexheti, për t’i penguar përfaqësuesit e Sindikatës argumentimin e parregullsive të shumta në RTK, si pasojë e keqmenaxhimit, thotë kumtesa nga kjo sindikatë, transmeton Koha.net.
Ja dëshmitë pikat rreth të cilave Sindikata ofroi dëshmi konkrete gjatë këtij takimi:
• Mosvotimi i raportit të punës të RTK-së, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për vitin 2013 dhe 2014.
• Thellimi i borxhit të përgjithshëm të RTK-së,në rreth 4.3 milion euro, ku vetëm gjatë vitit 2014 ai ishterritur për rreth 1 milion euro.
• Mosadresimi i rekomandimeve të Auditorit.
• Mosrespektimi nga ana e Menaxhmentit i vendimeve të Bordit të RTK-së, si atij për punësime të reja etj.
• Punësimet e pakontrolluara dhe pa mbulesë financiare, në shumë raste pa u respektuar procedurat e konkursit.
• Dëshmia për censurë e 60 redaktorëve dhe gazetarëve, nëpërmjet një reagimi publik të përbashkët.
• Protestat përgjatë këtij viti të punëtorëve të RTK-së, kundër disa vendimeve të menaxhmentit, si atij të zgjedhjes së kryeredaktorëve të RTK-së, dhe vendimit për largim nga puna të kryetarit dhe nenkryetarit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së.
• Parregullësitë e konstatuara nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) që çoi në anulimin e tenderit për blerjen produkte të jashtme audiovizive.
• Parregullësitë e konstatuara nga Agjencioni Anti Korrupsion (AKK), në tenderin për produkte të jashtme audiovizive.
• Lidhja e kontratave në shifra milionëshe, për blerjen e produkteve të jashtme audiovizive nga producentë të pavarur, pa procedurë tenderuese.
• Varshmëria e RTK-së ndaj ndërhyrjeve politike. Sipas hulumtimit “Treguesit e Mediave 2015”, të kryer nga Këshilli i Mediave të shkruara të Kosovës dhe organizata “Cohu”, i publikuar në maj të këtij viti, mbi 59% e të anketuarve mendojnë se RTK nuk është aspak e pavarur.
• Mosrivendosja e komunikimit nga ana e Menaxhmentit, me Sindikatën e Pavarur të RTK-së e cila përfaqëson pjesën më të madhe të të punësuarve në RTK.
• Kushtet e mjerueshme të punës, përfshirë mungesën e karrigeve, hapësirës për punë, infrastrukturës etj.
• Reagimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KLMDNJ), Konfederatës Sindikale Evropiane, Asociacionit të Gazetarëvë të Kosovës (AGK), Reporterëve Pa kufij, SEMMO, Përfaqësuesit të BE-së për Kosovën, Samuel Zbogar, Komisionerit për zgjerim, Johanes Han etj. që erdhën pas vendimit të drejtorit gjeneral,Mentor Shala, për largim nga puna të udhëheqësve sindikal dhe dëshmisë së 60 redaktorëve dhe gazetarëve të RTK-së për censurë.
Sindikata rithekson kërkesën për rishpallje të konkursit për postin e drejtorit gjeneral të RTK-së, në mënyrë që të gjithë profesionistët si brenda RTK-së ashtu edhe jashtë saj, të ndihen të barabartë dhe ta shohin këtë proces si normal e jo të manipuluar, thuhet në kumtesën e dërguar Fadil B. Hoxha, kryetari i SPRTK-së.