Zyrtarët rusë kanë vazhduar bombardimet e tyre kundër Shtetit Islamik, sic deklarojnë ata, edhe në ditën e pestë, përkundër kritikave nga Uashingtoni dhe aleatët e saj se veprimet ushtarake ruse vetëm sa janë duke e forcuar ISIS-in.
Ndërkaq, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, ka deklaruar se fushata e bombarimeve ruse në Siri është e ‘papranueshme’, duke e paralajmëruar se ‘Rusia është duke bërë një gabim të madh’, transmeton Gazeta Blic.
“Fushata e sulmeve ajrore në Rusi është e papranueshme,” tha Erdogan para gazetarëve në aeroportin e Stambollit para se të nisej për një vizitë në Francë.
Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, tha se partnerët perëndimorë të Rusisë kanë dështuar të shpegojnë termin ‘opozitë e moderuar’.
“Putini në takimin me udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë në Paris ka pyetur se cili është dallimi në mes të opozitës së moderuar dhe asaj të jomoderuar,” tha Dmitry Peskov, transmeton Gazeta Blic.
“Deri me tani askush nuk ka arritur të sqarojë se çfarë është opozita e moderuar,” shtoi ai.
Uashingtoni vazhdon të akuzojë Rusinë për përkrahjen e presidentit sirian Bashar al-Assad, të cilin edhe e fajëson për luftën civile në Siri, luftë e cila ka lënë të vdekur më shumë se 240 mijë njerëz, por Moska vazhdon t’i kthejë përgjigjje Uashingtonit duke i thënë se ‘SHBA-të dhe aleatët e saj shpesh herë kanë goditur në objektiva të gabuara.”